Shërohet nga kanceri duke përdorur ilaç qensh

  • 29 April 2019 - 16:24
Shërohet nga kanceri duke përdorur ilaç qensh

Në janar të vitit 2017, Joe Tippens ishte i sigurt se do të vdiste nga kanceri i mushkërive. Por, më pas, një veterinar i sugjeroi atij që të përdorte diçka jokonvencionale: një ilaç qensh. Ilaçi i quajtur fenbendazole, është ilaç që përdoret te qentë kundër skrajave dhe parazitëve të tjerë te qentë. Gjatë viteve të fundit, studimet kanë dëshmuar se ilaçet kundër parazitëve mund të jenë efikase edhe në luftë kundër kancerit. Ky trajtim nuk është aspak i dëshmuar dhe i preferuar, por derisa mjekët i kishin dhënë vetëm tre muaj jetë, Joe nuk kishte çka të humbte.

Joe, i diagnostikuar me kancer të mushkërive

Joe ishte diagnostikuar me kancer të mushkërive me qeliza të vogla në vitin 2016. Përkundër këtij lajmi të keq, ai kishte mbetur optimist. Por, në janar të vitit 2017, ai mori një lajm edhe më të keq. Kanceri agresiv i ishte përhapur në tërë trupin, në mëlçi, pankreas, fshikëz urinare, qafë dhe eshtra. Në atë moment, gjasat që ai të shërohej ishin më të vogla se 1%. Ai kishte planifikuar që të udhëtonte në Zvicër, ishte duke pritur lindjen e nipit dhe, tani çdo plan i ishte prishur. Mjekët i thanë që të mos dorëzohej, sepse ata planifikonin që t'ia nisnin ta trajtonin me një ilaç eksperimental, i cili do t'ia zgjaste jetën për rreth 1 vit. Ai, megjithatë, ndoshta do ta priste lindjen e nipit. Ai vendosi që ta provonte këtë trajtim, meqë "një vit ishte më mirë se tre muaj". Por, ndërkohë filloi të shfletonte në internet, ku gjeti edhe një shpallje, ku thuhej: "Nëse vuani nga kanceri, apo keni ndokënd që vuan nga kanceri, më telefononi". Kur telefonoi, atij iu lajmërua një veterinar, i cili i tha se, kohët e fundit, shkencëtarët kishin konstatuar se ilaçet që përdoren te qentë kundër parazitëve, kanë efikasitet edhe kundër disa kancereve te minjtë laboratorikë. Veterinari i kishte treguar se, personi i cili e kishte bërë këtë studim, edhe vet vuante nga kanceri i trurit, i shkallës së katërt. Ai kishte filluar të përdorte tableta të dedikuara për qen dhe, pas gjashtë javësh, në organizmin e tij nuk kishte më prani të kancerit. Joe, i cili ndërkohë kishte mbetur vetëm asht e lëkurë, vendosi që ta porosiste ilaçin fenbendazol. Ms/ Përdorimi i ilaçit, fenbendazol Ilaçi i kushtonte vetëm 5 dollarë në javë, derisa kompania e tij e sigurimit kishte shpenzuar rreth 1.2 milion dollarë, duke financuar shërimin e tij. Sipas një studimi të botuar në revistën "Nature", ilaçi në fjalë pengon ushqimin e qelizave të kancerit, duke i bërë ato që të vdisnin urie. Po ashtu, kemi të bëjmë me një ilaç, i cili tanimë prodhohet (gjendet në treg), është më i lirë dhe, sipas njerëzve që e kanë provuar, nuk ka shumë efekte të padëshirueshme, sidomos kur krahasohet me kimioterapinë dhe radioterapinë. Joe vazhdoi që të ishte pjesë e testimit klinik dhe nuk iu tregoi mjekëve që ishte duke marrë edhe ilaçin për qen. Në maj lindi nipi i parë i tij, Luke. Joe ishte aty për ta mirëpritur në këtë botë. Dy javë e gjysmë më pas, ai bëri një analizë skanimi PET. 'Tre muaj më parë kanceri gjendej në çdo pjesë të trupit tim, nga koka deri te këmbët. Kurse tre muaj më pas, në skanim nuk shihej asnjë kancer', thotë Joe.

Ai kishte mbetur i hutuar. Po ashtu edhe onkologu i tij. Joe thotë se mjekët i kishin thënë se, një sukses i tillë, ishte vërejtur vetëm te ai, e jo edhe te pjesëmarrësit e tjerë në studim. Në shtator të vitit 2017, Joe bëri edhe një skanim tjetër dhe, përsëri nuk kishte shenja të kancerit. Dhe, atëherë ai i tregoi mjekut se kishte përdorur edhe ilaçin për qen. Nuk kishte mënyrë për të dëshmuar se cili ilaç e kishte shëruar atë nga kanceri. Skanimi përfundimtar i Joe-s u bë në janar të vitit 2018 dhe, kur ai shkoi te onkologu në prill, ai e nxori jashtë 'me shqelma', meqë nuk kishte më asnjë shenjë të kancerit. Joe thotë se ai nuk është rasti i vetëm, ku ky ilaç kishte dhënë sukses. Ai ka gjetur edhe rreth 40 persona të tjerë me rrëfime të tilla të suksesit. Dhe, rezultatet e tij ishin aq të mira, saqë ta zgjonin kureshtjen e presidentit të Fondacionit të kërkimeve mjekësore në Oklahoma, Dr. Stephen Prescott. Tani, Dr. Prescott dhe Joe janë duke punuar në përgatitjen e një rasti. Joe thekson faktin se nuk është mjek, por vetëm një njeri i thjeshtë, me burime të kufizuara të informatave. "Por, jam i kualifikuar që t'ua rrëfej tregimin tim një numri sa më të madh të njerëzve", thotë ai.

(Kosova Sot)