Thaçi vazhdon goditjet ndaj Samitit: Në Berlin kishte vetëm fjalime të zbrazëta

  • 01 May 2019 - 10:26
Thaçi vazhdon goditjet ndaj Samitit: Në Berlin kishte vetëm fjalime të zbrazëta

Në një intervistë për prestigjozen Financial Times, Presidenti i vendit Hashim Thaçi ka folur rreth Samitit të Berlinit.

Ai e ka përshkruar Bashkimin Evropian si shumë të dobët, të ndarë nga brenda dhe të shqetësuar nga popullistët në zgjedhjet e Parlamentit Evropian që do të mbahen në maj.

Thaçi intervistën e ka dhënë në Berlin, aty ai e ka lavdëruar zgjidhjen e çështjes së emrit për Maqedoninë e Veriut, duke cituar diplomacinë e koordinuar mirë mes SHBA’së dhe BE’së. Mirëpo një bashkëpunim i tillë ka thënë ai që mungon në çështjen e zgjidhjes së problemeve mes Kosovës dhe Serbisë.

“Pa përfshirjen dhe rolin drejtues të SHBA’së, unë jam skeptik që dikush nga BE’ja mund të bëjë diçka. Roli i SHBA’së është vendimtar për një zgjidhje.”, thotë ai.

“Ajo çka ne po synojmë është njohja e Kosovës nga Serbia, dhe kështu rruga për antarësim në BE do të jetë e hapur për të dy shtetet. Por nuk do ketë kompromis për pavarësinë e Kosovës, përndryshe do të mbesim në një konflikt të ngrirë që do kishte pasoja për të ardhmen dhe do kishte mundësi për konflikt të ri.”, shton tutje presidenti i Kosovës.

SHBA’ja është e shqetësuar për ndikim e Rusisë dhe Kinës në Ballkan, thotë mediumi. Andaj ata madje kanë konsideruar një zgjidhje me shkëmbim të territoreve si pjesë e një marrëveshje të përgjithshme që do i hapte rrugë të dy vendeve për antarësim në organizata perëndimore.

Gjermania ka rritur shqetësimet rreth implikimeve të ndërrimit të kufijve në Ballkan. Por qeveritë e tjera të shteteve anëtare të BE’së duken më të heshtura rreth kësaj ideje.

Rreth takimit të liderëve në Berlin Thaçi është shprehur kështu:”Jo vetëm unë, por të gjithë ne nga regjioni u ndamë të dëshpëruar nga takimi në Berlin. Nuk kishte asgjë konkrete, vetëm fjalime boshe.”

“BE’ja është shumë e dobët dhe nuk është e bashkuar… Ata janë të okupuar me zgjedhjet në parlamentin e tyre dhe të frikësuar për rezultatin eventual. Andaj të gjithë po veprojnë në një mënyrë taktike dhe politike, dhe nuk po mendojnë strategjikisht.”, shtoi në fund Thaçi.

(Kosova Sot)