Zgjedhjet e reja, flet analisti: Ja kur mund të mbahen ato

  • 05 May 2019 - 07:38
Zgjedhjet e reja, flet analisti: Ja kur mund të mbahen ato

Përplasjet dhe mosmarrëveshjet mes koalicionit qeverisë në Kosovë, ka kohë që kanë dalë në pah. Kjo ka nxitur spekulimet se vendi shumë shpejt mund të shkojë në zgjedhje të reja. 

E lidhur me mundësinë që Kosova të shkojë në zgjedhje të parakohshme, për “Kosova Sot Online”, ka folur analisti politik, Blerim Burjani.

“Deri tash ka pasur shumë mospajtime dhe anarki, edhe autoritarizëm të veprimit politik. Secili ka vepruar në anën e vetë, apo secili "sulltan” për vete. Kryeministri, ky që është, është i padijshëm , por i dijshëm për ta mbrojtur pushtetin e vet dhe interesin e vet personal dhe të familjarëve përmes qeverisjes. Pushteti është i keqpërdorur skajshmërisht për zhvatje të buxhetit të qytetarëve. Ky pra është koalicioni më i keq i mundshëm dhe më zhvatës deri tash në Kosovë”, theksoi Burjani për “Kosova Sot Online”.  

Madje, ai thotë se të gjithë e kanë ditur që në fillim të marrëveshjes për koalicion, se si do të sillen këta njerëz që quhen PAN.

“Dallohen veç me lider ndryshe sepse kurrfarë dallimi me asgjë nuk kanë. Deri tash edhe PDK-ja i ka ruajtur të gjitha interesat e veta pasurore, nepotizmin, kontrollin e punësimit nëpër ndërmarrjet publike dhe në administratën e shtetit. Prandaj këtij subjekti politik fare nuk i ngutet për ta rrëzuar qeverinë e PDK-së, sado që çështja e taksës i ka ndarë, por që kohëve të fundit janë bashkuar dhe duken më të afërt në këto raporte”, u shpreh Burjani për “Kosova Sot Online”.

Sipas Burjanit, zhvillimet e fundit po i përafrojnë pak a shumë përfaqësuesit e PDK-së dhe LDK-së.

 “Gjetja e gjuhës së përbashkët për ndarjen e interesave, që mundë ti zgjas jetën mbase edhe për disa muaj koalicionit ngase nuk janë të gatshëm akoma për zgjedhje, jo vetëm pozita por as opozita. Kapja e shteti nuk lëshohet lehtë andaj këta e kanë kapur shtetin kurse vetëm qytetarët mundë të bëjnë ndryshime nëse nuk i votojnë të njëjtit përsëri në zgjedhjet që do ti kemi. Përndryshe, nëse votohen rishtas të njëjtat subjekte politike, me aktorët e njëjtë, do të shohim të njëjtin serial të gjatë filmik me protagonistë të njëjtë duke vazhduat të bëhen milioner përmes votës së qytetari. Unë realisht në këtë situatë nuk e besoj se do të ketë zgjedhje të jashtëzakonshme , njëherë nuk ka interesim PDK-ja që ta rrëzoj këtë qeveri”, përfundoi analisti,  Blerim Burjani për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online )