Liderët e Shtetit përkujtojnë vrasjen e Fehmi Aganit

  • 05 May 2019 - 18:50
Liderët e Shtetit përkujtojnë vrasjen e Fehmi Aganit

Sot janë bërë 20 vite që nga vrasja e profesorit Fehmi Agani, njërit nga ideologët e lëvizjes paqësore të Kosovës. E në këtë përvjetor, liderët e shtetit kanë kujtuar jetën dhe veprën e tij

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka shkruar se gjithmonë do të nderohet vepra e Aganit për lirinë dhe pavarësinë e vendit.

“U bënë 20 vjet nga vrasja e profesorit Fehmi Agani, njërit nga ideologët e lëvizjes paqësore të Kosovës. Gjithmonë do të nderohet veprimtaria e tij për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës”, ka shkruar Thaçi.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka shkruar në Facebook se Agani me mendim të guximshëm dhe veprimtari atdhetare i dha qartësi vizionit tonë për shtet sovran.

“Fehmi Agani, Në 20-vjetorin e vrasjes, kujtojmë njeriun, i cili me dijen e thellë dhe urtësinë që e shquante, u shndërrua në promotor të unitetit dhe bashkërendimit të përpjekjeve për liri. Lavdi jetës dhe veprës së veprimtarit dhe akademikut Fehmi Agani”, ka shkruar Haradinaj.

Ndërkaq jetën dhe veprën e Aganit e ka kujtuar edhe ish-presidenti i vendit, Fatmir Sejdiu, i cili ka thënë se profesor Agani paraqet një figurë të veçantë dhe të kompletuar intelektuali, vizionari politik dhe një atdhetari të devotshëm, i cili gjithë jetën ja kushtoi lirisë dhe pavarësisë së Kosovës.

“Pata rastin ta njoh këtë burrë të Kosovës, në fillim si student i tij në studimet pas-universitare dhe më vonë që nga ditët e para të themelimit të Lidhjes Demokratike të Kosovës të punoj me të në lëvizjen politike për lirinë e vendit, themelet e së cilës lëvizje u ndërtuan dhe u forcuan përditë krahas sfidave të rënda, pikërisht falë kolosëve të mëdhenj që kishte kjo lëvizje – Presidentin historik Dr. Ibrahim Rugovën dhe Akademik Fehmi Aganin”, ka shkruar Sejdiu.

(Kosova Sot)