Shpërthen Kelmendi: Ja kush ishin kundërshtarët e Adem Jasharit!

  • 07 May 2019 - 13:02
Shpërthen Kelmendi: Ja kush ishin kundërshtarët e Adem Jasharit!

Veprimtari dhe themeluesi i LPK-së dhe UCK-së, Muhamet Kelmendi thotë se është i zhgënjyer deri në fund me rrugën që po kalon Kosova në këto 20 vjet në liri sepse lufta po përvetësohet nga ata që më së pakut e meritojnë, që më së pakut kanë dhënë për lirinë, madje duke i thirrur se paskan qenë edhe bashkëveprimtar dhe në krahun e djathtë të mbështetjes e përkujdesjes për komandantin legjendar Adem Jasharin.

“Lufta e popullit shqiptar për liri dhe për pavarësi, gjaku i derdhur, nuk reflekton gjendjen aktuale të krijuar brenda dhe jashtë. Ka qenë e qartë se Kosova dhe shqiptarët do të kenë vështirësi të mëdha në rrugën e lirisë, por nuk është menduar mu kjo gjendje aktuale. UCK e krijuar nga LPK dhe Adem Jashari e luftëtarët e tjerë që s’janë në jetë nuk luftuan për këtë Kosovë dhe për këta që aktualisht po e udhëheqin vendin.

I tërë gjaku i derdhur është injoruar dhe këta udhëheqës po vazhdojnë me mënyrat më të dëmshme të shkatërrojnë vendin. Askush nga radhët e organizuara të kohës para lufte nuk ka paraqitur në përmasa aktuale qëndrimet, ndonëse kishte forca që nuk vepruan konforme normave dhe vendimeve të caktuara”, tha Kelmendi për “Kosova Sot Online”. Ai ka rikujtuar edhe se si është përgatitur dhe si ka ndodhur grushtet në LPK pikërisht nga grupi i Thaçit. “Kështu në vitin 1997 dhe 98/99 doli në shesh veprimtaria e dëmshme dhe tejet e rrezikshme për kombin dhe shtetin.

Mua më vjen turp kur dëgjoj veglat e ndryshme të Hashim Thaçit, të Kadri Veselit, të Xhavit Halitit e të Azem Sylës, të cilët predikojnë këta si themelues dhe organizator të luftës së UCK-së. E tëra është gënjeshtër e cila mbështetet në forcën politike, shtetërore dhe mbi këtë po iu ecë matrapazllëku tash e dy dekada. Që në atë kohë ishin kundërshtarët e Adem Jasharit. Tash po deklarojnë të kundërtën. Natyrisht se ka njerëz në familjen Jashari që e dinë këtë të vërtetë. Pse nuk deklarojnë?! Nga çka ikin!!? Këto nuk i di”, theksoi Kelmendi për “Kosova Sot Online”.

Mirëpo ai thotë se është shumë i sigurt që një ditë, jo shumë të largët, do të del në shesh e vërteta.” Nuk do të vonohet shumë, por me kohë do të dihen se nga kush dhe si i krijua UCK dhe cili ishte objektivi. Jam i sigurt në një se nuk është luftuar për krim dhe për korrupsion.

Është krijuar dhe ndërtuar UCK për kombin shqiptar dhe për ta çliruar atë. Lufta është filluar për të çliruar kombin dhe për të vënë në vend një padrejtësi që ishte bërë ndaj kombit shqiptar. Dhe, më së paku deri në kapjen e UCK-së dhe të LPK-së nga matrapazët, është menduar në këtë që e kemi, në vjedhjet dhe në korrupsionin. Nuk është menduar se gjoja luftëtarët e lirisë bëhen matrapaz dhe njerëz nga të cilët vuan dhe keqpërdoret shteti dhe kombi i ynë. Mirëpo, këtë gjendje e kemi. Këtej kam deklaruar dhe e përsëris se pa e bërë spastrimi e politikës dhe të organeve të shtetit nga veglat dhe këta kurrë shteti nuk stabilizohet”, theksoi Prof. Kelmenid për “Kosova Sot Online”.

Ai thotë se pa ikur ky grup i rrjetit të krimit të organizuar nga kupola e qeverisjes, Kosova nuk mundë të funksionon si shtet.

”Grupet e krijuara rreth forcave politike në pozite dhe opozitë janë të forta me mjete dhe me njerëz. Këta duhet të ikin nga shteti, e vetëm kurrë nuk ikin Fatmiri, Hashimi etj... kurrë nuk largohet matrapazi politik si Behxheti e Shpendi. Këta janë të fortë. Por, kam besim në popullin tim. Ky si gjatë historisë do të gjejë forca dhe do të lirohet nga klikat e tilla antikombëtare. Te populli qëndron e ardhmja”, tha Muhamet Kelmendi për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online )