Akuza e radhës: Hashim Thaçi dhe Baton Haxhiu kundër Gjermanisë

  • 11 May 2019 - 11:25
Akuza e radhës: Hashim Thaçi dhe Baton Haxhiu kundër Gjermanisë

Presidenti I Kosovës Hashim Thaçi së fundi ka filluar një ofensivë të egër kundër Gjermanisë, njërit prej shteteve e cila ka dhënë shumë dhe ka ndihmuar në çlirimin dhe shtet ndërtimin e Kosovës. Këto reagime kundër shtetit gjerman vijnë , disa ditë pas samitit të Belinit, për të cilin vetë z. Thaçi kishte fjalë dhe vlerësime pozitive por shpejtë e ka ndryshuar retorikën, së bashku me “zëdhënësin e tij ” zyrtar” Baton Haxhiun, I cili thotë se Gjermania ka qenë kundër njohjes së Kosovës edhe kundër ndërhyrjes ushtarake të saj në Kosovë. Analistët politik e shohin tepër të rrezikshëm për vendin, ndryshimin e shpejtë të këtij kursi nga ana e Hashim Thaçit.

Një mendim të tillë ndanë për “Kosova Sot Online”, analisti Florim Zeqa, sipas të cilit, me këto sjellje të fundit çmenduria e Hashim Thaçit dhe Baton Haxhiut nuk ka të ndalur, sepse ishte pikërisht Gjermania që i tha Stop planit për shkëmbim territoresh!

“Pas fiaskos që pësoi ideja për ndryshimin e kufijve në Samitin e Berlinit, presidenti kuisling i Kosovës, Hashim Thaçi është vënë në një ofensivë të egër e të pa shembull kundër Gjermanisë, superfuqisë ekonomike dhe politike në Evropë. Megjithatë në fushatën kundër shtetit mik të Kosovës, Hashim Thaçi nuk është i vetëm, shtetin e Gjermanisë po e sulmon edhe “zëdhënësi zyrtar” dhe mentori i Thaçit, Baton Haxhiu me gënjeshtrat e tij se kinse "Gjermania ka qenë kundër njohjes së Kosovës dhe kundër ndërhyrjes ushtarake të saj në Kosovë". Deklaratat e Hashim Thaçit dhe Baton Haxhiut janë tepër skandaloze dhe me prapavijë të errët politike, që për qëllim të fundit kanë uljen e imazhit dhe prishjen e raporteve të shkëlqyera miqësore mes Kosovës dhe Gjermanisë”,tha Zeqa për “Kosova Sot Online”.

Mirëpo Zeqa thotë se fatbardhësisht populli i Kosovës e mendon dhe e thotë të kundërtën që e thonë vasalët e Serbisë, për shkak se asnjë popull në Evropë, e as në botë, nuk ka përfitua më shumë prej Gjermanisë se sa populli i Kosovës, prandaj populli i Kosovës për aq sa i është mirënjohës NATO-s dhe SHBA-ve, i është mirënjohës dhe Gjermanisë për çlirimin e vendit dhe mbrojtjen e tërësisë territoriale të Kosovës.

“Me deklaratat e sëmura dhe paraqitjet e shëmtuara para kamerave televizive, Hashim Thaçi dhe Baton Haxhiu po i bëjnë argatin e djallit shtetit të Kosovës,duke promovuar idenë e korrigjimit të kufijve janë duke çuar para idenë e Vuçiqit për ndarjen e Kosovës dhe jo vetëm. Me idenë e ndryshimit të kufijve në Ballkan, Vuçiqi, Rama,Thaçi e Haxhiu me mbështetësit e tyre janë duke provokuar një luftë të re me përmasa shkatërrimtare për rajonin. Kundërshtim i fuqishëm i Gjermanisë konsiston në evitimin e një lufte të re që po i përgatitet rajonit dhe Evropës në përgjithësi, pas së cilës fshihen aspiratat hegjemoniste e grabitqare të Serbisë dhe shtrirja e ndikimit pan sllavist në Ballkan”, tha analisti politik Florim Zeqa për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online )