Alarmon Zeqa: Prokuroria ta ndaloj kontratën kriminale me Z-Mobile!

  • 15 May 2019 - 11:06
Alarmon Zeqa: Prokuroria ta ndaloj kontratën kriminale me Z-Mobile!

Sipas analistit politik Florim Zeqa, debati i djeshëm në Kuvendin e Kosovës për Telekomin dhe PTK-në, e dëshmoi sesa urgjente është nevoja e ndërhyrjes së prokurorisë së shtetit në ndërprerjen e kontratës kriminale me Z-Mobile dhe të shumë kontratave tjera kriminale dhe jo vetëm, prandaj kjo ndërhyrje duhet të ndodhë sa nuk është vonë sepse ai debati nxori në shesh infiltrim akoma më të gjerë në shkatërrimin e Teelekomit.

“Nga debati për PTK-në në Kuvend u shpërfaqën pothuajse të gjitha punësimet familjare të krerëve shtetëror dhe partiak. Kush më shumë dhe kush tjetër më pak, të gjitha subjektet politike dhe liderët partiakë e kanë hisen e tyre në zhvatjen e Telekomit, bashkë me këtë e mbajnë edhe përgjegjësinë për falimentimin e pashmangshëm të gjigantit financiar nga zhvatjet serike qindra milionëshe, respektivisht të kalimit të pronësisë së PTK-së tek bizneset e inkriminuara, gjegjësisht tek korporata Z-Mobile. Thënë edhe më qartë, për situatën alarmante në Telekom, përgjegjëse janë të gjitha partitë dhe liderët që qeverisen me vendin pas 17 shkurtit 2008-të e këndej. Vetëm ndërprerja e menjëhershme e kontratës kriminale me Z-Mobile mund ta shpëtojë PTK-në nga falimentimi i orkestruar nga mafio-politika dhe grupimet kriminale në këtë kompani prestigjioze të vendit tonë”, tha Zeqa për “Kosova Sot Online”.

Analisti Zeqa shtoi se "rrjetet e shumta të interesit të instaluara në PTK, përmes grupeve të organizuara kriminale kanë arrit që përmes punësimeve partiake dhe familjare të monopolizojnë çdo aset në këtë kompani gjigante".

“Varësisht prej ndikimit partiak, i kanë të ndara edhe sferat e interesat brenda kompanisë, duke e bërë një garë të pa shembull me qëllim të përvetësimit sa më të madh të aseteve në Telekom. Megjithatë, Z-Mobile e ndihmuar nga pushtetarët aktualë, përmes kontratave kriminale e ka zgjeruar aq shumë rrjetin e saj në PTK, saqë po tenton ta përvetësojë në tërësi Telekomin kosovarë dhe monopolizojë jetën institucionale dhe ta kthejë Kosovën në "Devollistan", tha analisti politik Florim Zeqa për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online )