Tajvani bëhet shteti i parë aziatik që legalizon martesat e homoseksualëve

  • 17 maj 2019 - 16:45
Tajvani bëhet shteti i parë aziatik që legalizon martesat e homoseksualëve

Tajvani është bërë shteti i parë në kontinentin e Azisë që përmes miratimit të legjislacionit e ka lejuar martesën mes personave të gjinisë së njëjtë.

Ligjvënësit e këtij shteti të vogël i miratuan disa pjesë të projektligjit që ua lejon çifteve homoseksuale bashkimin e përhershëm ekskluziv dhe aplikimin për regjistrim të martesës në agjencitë qeveritare.

Presidentja e Tajvanit, Tsai Ing-wen, e cila ka bërë fushatë për barazi martesore, pas këtij votimi shkroi në Twitter: “E bëmë një hap të madh drejt barazisë së vërtetë dhe e bëmë Tajvanin vend më të mirë”.

Mijëra përkrahës të të drejtave të homoseksualëve u tubuan në mot me shi para ndërtesës së kuvendit në Taipei për ta shikuar transmetimin e drejtpërdrejtë të punimeve të seancës parlamentare. Pas votimit të deputetëve, mbështetësit brohoritën “Të parët në Azi”.

“Ajo që e kemi arritur ne nuk është e lehtë”, tha Victoria Hsu, themeluese dhe drejtoreshë ekzekutive e Aleancës Tajvaneze për Promovim të të Drejtave për Partneritet Civil.

“Ligji nuk do të jetë 100 për qind i përkryer, por ky është një fillim i mirë dhe hap i madh për t’i dhënë fund diskriminimit të bazuar në orientimin seksual”, shtoi ajo, shkruan “The Guardian”.

(Kosova Sot Online)