KMLDNJ: Masakrën e Dubravës nuk e trajtoi Tribunali i Hagës

  • 22 May 2019 - 11:36
KMLDNJ: Masakrën e Dubravës nuk e trajtoi Tribunali i Hagës

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave të Lirive të Njeriut ka thënë se gjatë periudhës 2000-2002 kanë bërë Kallëzim Penal për Masakrën e Dubravës në Tribunalin e Hagës, por nuk u trajtua nga ky tribunal.

“Ky Kallëzim Penal ishte dorëzuar nga KMDLNj përkatësisht nga Prof.Dr.Pajazit Nushi dhe Tahir Demaj i Këshillit Rajonal në Pejë me datë 07.03.2002 në Zyrën e Prokurorit të Tribunalit të Hagës për Krime të Luftës për ish Jugosllavini dhe ish protokoluar me numer, NR.18/02.Kallëzimin Penal e kanë përgatitur : Tahir Demaj, Zenel Mekaj, Drita Krasniqi, Mubijene Begolli-Sedefi dhe Muhamet Asanaj”, tregon KMLDNJ.

Kallëzimi Penal për Masakrën në Burgun e Dubravës është dorëzuar me 7 mars të vitit 2002.

KMLDNJ thotë se mostrajtimi i kallëzimeve penale nga Tribunali i Hagës, UNMIK dhe EULEX edhe për masakrat më të tmerrshme në mesin e të cilave Maskara e Burgut të Dubravës, për nga pesha dhe pasojat mund të krahasohet me Kampin në Aushvic apo Dahau, e bënë të pranueshëm ndryshimin ligjor në Kodin Penal të Kosovës, përmes të cilit mund të gjykohen dhe denohën në mungesë ata që kanë kryer krime lufte ne Kosovë.

“Ndonëse, nga aspekti i të drejtave të njeriut, për shkak të pamundësisë të sigurimit të një mbrojteje efektive edhe KMDLNJ ka pasur rezerva, në rrethanat ekzistuese kur Serbia është bërë mbledhës dhe mbrojtës i të dyshuarve për krime lufte e që janë larguar nga Kosova dhe kur Serbia refuzon çdo bashkëpunim, për më keq iu garanton mbrojtje dhe përkujdesje shtetërore, gjykimi dhe dënimi për krime lufte në mungesë është mënyra e vetme për të siguruar edhe një drejtësi sado të vogël për viktimat dhe familjet e tyre dhe përgjegjësi për kriminelët”.

KMDLNj shpreh respekt për të gjitha viktimat civile dhe ushtarake, familjarët e tyre si dhe për aktivistët e KMDLNj –së që sipas tyre kanë bërë një punë të madhe në dokumentimin e krimeve të luftës dhe që tani nuk janë në mesin e të gjallëve.

“Është bërë punë e madhe nga KMDLNj dhe të tjerët në këtë aspekt por e drejta e viktimave për drejtësi është sabotuar nga “drejtësia ndërkombëtare”.

KMDLNj ka publikuar edhe fletën e parë të Kallëzimit Penal për Masakrën në Burgun e Dubravës ndërsa Kallëzimi i kompletuar është në KMDLNj.

(Kosova Sot Online)