"Politikanët janë vetë gjykatës, avokatë e prokurorë"

  • 27 May 2019 - 07:36

Analisti politik Ramiz Bojaj ka reaguar dhe e ka komentuar me tone tepër kritike, reagimin mohues të Presidentit Thaçi në përgjegjësinë dhe përzierjen Kadri Veselit në aferën e fajdeve, sikur që përmendet vazhdimisht emri i tij në videot e publikuar. Bojaj ka thënë për “Kosova Sot Online” se "reagimi shfajësues dhe mohues i presidentit Hashim Thaçi për përfshirjen e Kadri Veselit në një rreth fajdexhinjsh, tregon se politikanët e Kosovës janë vet gjykatës, avokatë e prokurorë, pra janë mbi ligjin".

Image
Ramiz Bojaj

“Kur presidenti del me vlerësim të tillë për pafajësinë e shokut të ngushtë e të bashkëpunëtorit, ende pa u kryer proceset e duhura hetimore nga drejtësia, tregon se shteti është i kapur nga kapot e krimit, ndërsa gjykatat kryejnë detyrime formale të diktuara nga politika, gjithnjë duke konfirmuar pafajësinë e 'peshqve të mëdhenj'. Hashimi është dashur të deklarohet për punën e pavarur të drejtësisë e jo të nxjerrë me automatizëm pafajësinë e një miku e bashkëpunëtori në bashkëqeverisjen e shtetit, më saktësisht në kapjen e shtetit”, tha Bojaj për “Kosova Sot Online”.

Sipas analistit Bojaj, "veprime të tilla janë të njohura në vendin tonë, ku politika ka fshehur faktet e dëshmitë e krimit, ndërsa të akuzuarit e klaneve të afërta me pushtetin janë nxjerrë si të pafajshëm".

“Më pas këto klane u bënë 'ushtarë' të politikës kriminale në realizimin e interesave të ngushta klienteliste. Maskarenjtë e pushtetit sollën maskarallëkun në të gjitha nivelet e pushteteve demokratike(drejtësi, siguri, ekonomi) , duke kapur e diktuar ato, për të vazhduar me keqpërdorimet makabre, të kapjes së shtetit, të keqpërdorimit të pasurisë publike e resorëve tjerë vital të shtetit. Hajdutët e mbrojnë njëri-tjetrin sepse krimi funksionon si strukturë zinxhirore, mirë e organizuar për realizimin e planeve zhvatëse të oligarkëve”, tha Bojaj për “Kosova Sot Online”.

Ai po ashtu ka shtuar se "kjo klasë e retarduar politike, gjithmonë në rrethana të ngjashme, edhe në të kaluarën, për hajdutët, thurnin moralizime të rrejshme siç janë: atdhetar, i moralshëm, patriot, trim i luftës, me ç’rast, epitete të tilla vazhdojnë të përdoren si maskë për shkelësit e ligjit".

“Të mëdhenjtë e pushtetit, ditë më parë dolën të pafajshëm edhe në aferën "KEK"-u, pastaj 'toka', 'vizat' etj., qe dëshmon se pushtetarët janë vetë gjykatës, vetë prokuror, vetë avokatë, përderisa institucionet e drejtësisë përdoren si 'aprovim' të interesave të pushtetarëve. Veprime të tilla janë të njohura në shtetet moniste e diktatoriale, por, fatkeqësisht, asgjë nuk dallon as me aktualitetin kosovar”, theksoi Bojaj për “Kosova Sot Online”.

“Krejt kjo zhvillohet në këtë mënyrë sipas Bojajt, për faktin se këtu shtetin e kanë kapur një bandë hajnash, të cilët diktojnë pushtetin real e atë të nëntokës, duke këputur damarët e një shteti normal demokratik. Oligarkët e rinj janë vrasësit më të pacipë të demokracisë në Kosovë, njëkohësisht mbeten varrmihësit e kërcënuesit më real të ekzistencës së shtetit tonë”, ka thënë Bojaj për “Kosova Sot Online “.

(Kosova Sot Online)