Akuza të reja për krime lufte në Birmani

  • 29 May 2019 - 15:18
Akuza të reja për krime lufte në Birmani

Sipas grupit për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, Amnesty International, ushtria e Birmanisë është duke kryer krime të reja lufte kundër grupeve etnike në rajonin e Rakhines.

Përmes një raporti të ri, kjo organizatë e akuzon ushtrinë birmaneze për kryerje të vrasjeve pa gjyq, torturime dhe arrestime arbitrare gjatë operacioneve kundër një grupi të armatosur budist. Sidoqoftë, ushtria i ka mohuar këto akuza.

Kjo ushtri është akuzuar më parë për shkelje masive të të drejtave të njeriut kundër myslimanëve të Rakhines në vitin 2017.

Më shumë se 70 mijë njerëz u larguan nga ky shtet si rezultat I shtypjes së këtij grupi pakicë nga pushteti dhe ushtria.

Forcat ushtarake nisën operacione të reja këtë vit pas marrjes së udhëzimit nga qeveria për t’i shtypur rebelët e Ushtrisë së Arakanit.

Në raportin e publikuar të mërkurën, kjo organizatë ndërkombëtare tha se ushtria ka vrarë dhe ka lënduar civilë. “Më pak se dy vjet nga reagimi i botës ndaj dhunës masive të kryer ndaj popullsisë Rohingya, ushtria e Birmanisë është duke kryer përsëri tortura të tmerrshme kundër grupeve etnike”, tha Nicholas Bequelin, drejtor rajonal i organizatës “Amnesty International” për Azinë Juglindore.

Grupi arriti te këto gjetje pasi i intervistoi dhjetëra njerëz që jetojnë në zonat e prekura nga konflikti dhe pasi analizoi fotografi, video dhe pamje nga sateliti, shkruan “BBC”.

(Kosova Sot Online)