Gjermania: Nuk e përkrahim idenë e korrigjimit të kufijve, cenon stabilitetin

  • 29 May 2019 - 18:16
Gjermania: Nuk e përkrahim idenë e korrigjimit të kufijve, cenon stabilitetin

Zyrtarja e Qeverisë Gjermane, Christiane Hullman, ka përsëritur edhe një herë në Prishtinë, qëndrimin e Berlinit zyrtar se nuk e përkrahin idenë e Thaçit dhe Vuçiqit për korrigjim të kufijve.

“Gjermania nuk e mbështet një ide të tillë”, ka thënë Hullman, në debatine organizuar nga Ballkan Group. Ajo ka thënë se një ide e tillë destabilizon të gjithë rajonin.

“Ideja për shkëmbim të territoreve dhe korrigjim të kufijve rrit destabilitetin në të gjithë rajonin”, ka shtuar ndër të tjera ajo.

Një ide të tillë e ka kundërshtuar vazhdimisht edhe kancerlarja gjermane, Angela Merkel, e cila kishte përsëritur se një ide e tillë është e rrezikshme dhe se nuk e përkrahë.

E në Samitin e Berlinit, të mbajtur me 29 prill të këtij viti, që u organizuar me iniciativë të Angela Merkel, ideja për korrigjim të kufijve, e mbështetur nga Thaçi e Vuçiq, mori goditjen përfundimtare.

Reagime të shumta pas një samiti të tillë, pat edhe nga deputetët e Bundestagut gjerman, të cilët u shprehën të lumtur, se tashmë dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, do të vazhdojë duke lënë anash idenë për prekje të kufijve.

E media të mëdha thanë që në Berlin “u varros ideja për korrigjim të kufijve”.

Megjithatë edhe pse Vuçiq e ka pranuar se një ide e tillë ka dështuar, Thaçi vazhdon të drejtojë sulme në drejtim të Gjermanisë, duke thënë se në Berlin as nuk u hodh poshtë ndonjë ide, e as nuk ka lindur ndonjë ide e re.

Në atë Samit, palët ishin marrë vesh që të vazhdonin tutje diskutimet për zhbllokimin e dialogut, në Samitin e Parisit, që do të mbahet me 1 korrik të këtij viti.

E para këtij Samiti, me 6 qershor, Haradinjan e pret kancelarja gjermane Angela Merkel në Berlin.

(Kosova Sot Online)