Mediat serbe: Në listën e 46 personave të arrestuar në veri edhe dy anëtarë të EULEX’it

  • 31 May 2019 - 09:21
Mediat serbe: Në listën e 46 personave të arrestuar në veri edhe dy anëtarë të EULEX’it

Mediet në Serbi raportojnë në listën e 46 të arrestuarve në veri gjatë aksionit të Policisë janë edhe dy anëtarë të misionit të EULEX’it në Kosovë.

Sipas raportimeve të medieve serbe, të cilat bazohen në burime anonime brenda ambasadave e misionit të EULEX’it në Kosovë, në listën prej 46 personave ka policë dhe civilë të nacionalitetit serb, shqiptar dhe boshnjak.

Sipas hetimeve të Prokurorisë, të dyshuarit ishin në listë bashkë  me të gjithë emrat e atyre që dyshoheshin për kontrabandë, shpërdorim detyre, pranim ryshfeti e korrupsion.

Nga 46 të dyshuarit, 25 janë serbë, 20 prej të cilëve janë zyrtarë policor që i përkasin njësive të ndryshme dhe pesë civilë e pronarë të kompanive. Ndërsa 21 të tjerë janë shqiptarë dhe boshnjak.

Duke iu referuar burimeve anonime nga një prej ambasadave më me ndikim në Prishtinë dhe një zyrtari të lartë të EULEX’it, bëhet e ditur se hetimi ndaj policëve ka filluar vitin e kaluar.

Zyrtarët policorë, përfshirë pjesëtarë të drejtorisë kufitare janë monitoruar për një vit nën dyshimin për kontrabandën e kryer në veri e në jug të Kosovës.

“Prokuroria ka gjithashtu dëshmitarë të mbrojtur nga Policia. Dëshmia e tyre lidhet për ryshfetin e një sipërmarrësi. Dy anëtarë të misionit të EULEX’it kanë marrë pjesë në të gjithë operacionin”, citojnë mediat serbe një burim të EULEX’it.

Raportohet se këta dy anëtarë flasin mirë serbisht, punojnë si civilë qe disa vite në EULEX.