Apeli konfirmon aktakuzën ndaj Adem Grabovcit dhe të tjerëve në rastin “Pronto”

  • 31 May 2019 - 14:42
Apeli konfirmon aktakuzën ndaj Adem Grabovcit dhe të tjerëve në rastin “Pronto”

Gjykata e Apelit ka refuzuar ankesat e avokatëve mbrojtës të të 11 të akuzuarve për rastin “Pronto”, të cilët kishin kërkuar hedhjen poshtë të aktakuzës.

Prokuroria Speciale e Kosovës akuzon ish-deputetin e PDK’së, Adem Grabovci, ministrin e Inovacionit në Qeverinë e Kosovës, Besim Beqaj, deputetin i PDK’së, Zenun Pajaziti, dhe tetë të akuzuarit, se kanë kryer veprën penale “Shkelja e statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës së Kosovës në bashkëkryerje”.

Sipas një njoftimi për media nga Gjykata e Apelit, konfirmohet se aktakuza iu konfirmohet të akuzuarve të rastit “Pronto” të cilët kishin kundërshtuar këtë aktakuzë.

Në seancat e kaluar, 11 të akuzuarit për këtë rast, ishin deklaruar të pafajshëm.

Sipas aktakuzës së prokurorisë, të gjithë këta po akuzohen se në formë të bashkëpunimit- bashkëkryerjes, kanë kryer veprës penale “Shkelja e statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës së Kosovës” nga neni 193 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Sipas vlerësimit të Gjykatës së Apelit, në aktvendimin e kundërshtuar, gjykata e shkallës së parë, ka dhënë në mënyrë të mjaftueshme  për këtë fazë të procedurës penale, arsye lidhur me dyshimin e bazuar  mirë, rreth provave të kundërshtuara, dhe se  drejt ka vërtetuar se ekzistojnë prova të mjaftueshme të pranueshme në aspektin ligjor-procedural, për të vazhduar më tutje. Se a do të vërtetohet fajësia e tyre, mbetet të shqyrtohet gjatë fazave të ardhshme të procedurës penale dhe shqyrtimit kryesor të çështjes, e që në këtë fazë të procedurës penale fajësia nuk mund të supozohet as nga gjykata e as nga palët.  

Të akuzuar në këtë rast janë: ish-shefi i grupit parlamentar të PDK’së, Adem Grabovci, ministri aktual i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj, deputeti aktual i PDK’së, Zenun Pajaziti, ish-kryesuesi i Kuvendit të Komunës së Prizrenit, Nijazi Kryeziu, ish-shefja e Njësisë për furnizim në Ministrinë e Shëndetësisë, Arbenita Pajaziti, ish-sekretari i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Ilhami Gashi, ish-zëvendësministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Fatmir Shurdhaj, ish-këshilltari politik në MPB, Sedat Gashi, Ismet Neziraj, Xhavit Dakaj dhe Rexhë Abazi.

(Kosova Sot Online)