Presidenti edhe nga Mali i Zi kërcënon BE-në dhe OKB-në pse Kosovën po e mbajnë të izoluar

  • 01 June 2019 - 13:48
Presidenti edhe nga Mali i Zi kërcënon BE-në dhe OKB-në pse Kosovën po e mbajnë të izoluar

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi po merr pjesë në forumin “To Be Secure” në Budvë të Malit të Zi.

Thaçi është ftuar nga homologu i tij malazez, Milo Gjukanoviq, ku kanë diskutuar për përpjekjen e dy shteteve si dhe të gjithë rajonit të Ballkanit Perëndimor për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Thaçi është shprehur se vonesat e BE-së në vendimmarrje po shkaktojnë rritjen e populizmit në rajon.

“Për t’u bërë ky rrugëtim më shpejt është e nevojshme që vetë BE-ja të mos vonohet me vendimmarrje, sepse sa më shumë që po vonohet, aq më shumë po rritet ndikimi i akterëve tjerë të padëshiruar dhe populizmi në rajonin tonë”

Presidenti Thaçi ka thënë se mbajtja e Kosovës në izolim është padrejtësia më e madhe.

“Padrejtësia më e madhe ndaj Kosovës po vazhdon të jetë mbajtja në izolim e qytetarëve tanë dhe bllokimi i perspektives për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Kosova nuk është duke kërkuar alternativë tjetër, përveç anëtarësimit në BE, NATO dhe OKB. Kjo duhet të jetë e qartë, si për qytetarët e Kosovës, po ashtu edhe për bashkësinë ndërkombëtare”.

Thaçi përsëri ka deklaruar se nëse BE,OKB dhe NATO do të vazhdojnë t’i mbajnë dyert e mbyllura për shtetin e Kosovës, atëherë udhëheqësit institucionalë dhe qytetarët duhet të mëndojnë një rrugë tjetër për arritjen e qëllimit të njejtë.

Deklaratat e tij të fundit, se Kosova duhet të mendojë bashkimin me Shqipërinë nëse Bashkimi Evropian do të vazhdojë të mbajë të izoluar Kosovën, presidenti i ka ritheksuar edhe në këtë samit. 

(Kosova Sot Online)