Vrau tre persona në vitin 1993, arrestohet në Itali 49-vjeçari shqiptar

  • 03 June 2019 - 16:00
Vrau tre persona në vitin 1993, arrestohet në Itali 49-vjeçari shqiptar

Një shqiptarë, në kërkim për vrasje që prej vitit 1993, është arrestuar në Itali, me qëllim ekstradimi drejt vendit tonë, ditën e sotme.

Sipas policisë, në pranga ka rënë Bardh Lula (Luli) 49 vjeç, i cili është dënuar nga gjykata në vitin 1996, me burgim të përjetshëm.

Policia sqaron se arrestimi i tij erdhi pas një bashkëpunimi me policinë italiane, ndërsa 49-vjeçari, i cili jetonte prej vitesh në Itali, fshihej me emër e dokumentacion të falsifikuar si shtetas boshnjak.

Në vitin 1993 Bardh Lula ka vrarë tre persona me armë zjarri, me inicialet N.L, P.L dhe M.L.

Njoftimi i plotë i policisë:

Tjetër operacion ndërkombëtar falë bashkëpunimit të Policisë së Shtetit  me homologët italianë.

Finalizohet operacioni ndërkombëtar i koduar “Wanted 3”.

Operacioni i zhvilluar dhe finalizuar në Itali falë bashkëpunimit të  Interpol Tirana me Interpol Romën dhe Zyrat ndërlidhëse reciproke UCI Albania në Shqipëri dhe Bari në Itali në bazë të informacioneve të siguruara më parë nga Sektori për Krimet e Rënda në Departamentin e Policisë Kriminale në PSH, për vendndodhjen dhe gjeneralitetet  që përdorte  i kërkuari.

U bë  arrestimi në Itali me qëllim ekstradimi i shtetasit shqiptar:

Bardh Lula (Luli) 49 vjeç, lindur në Lezhë, i cili fshihej në Itali  me emër e dokumentacion të falsifikuar si shtetas boshnjak.

Ky shtetas ishte i  shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Lezhë, në vitin 1996 e ka dënuar këtë shtetas me “Burgim të përjetshëm” për veprën penale “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese”.

Shtetasi Bardh Lula (Luli),  më  datë 12.06.1993 ka vrarë me armë zjarri për motive të dobëta shtetasit  N.L. , P.L. dhe M.L.

Vijonë procedurat për ekstradimin  drejt Shqipërisë të personit të dënuar me burgim të përjetshëm.

Image
Image

 

(Kosova Sot Online)