Ja kush e zbulon ‘parajsën e kontestuar’, ku pasurohen politikanët kosovarë dhe serb

  • 06 June 2019 - 15:01
Ja kush e zbulon ‘parajsën e kontestuar’, ku pasurohen politikanët kosovarë dhe serb

Mediumi prestigjioz amerikan “Foreign Policy”, në një shkrim special për zhvillimet politike në Kosovë, për krimin dhe korrupsionin që zhvillohet në veri të vendit, ka akuzuar politikanët kosovarë dhe ata serb, duke shkruar se politikanët nga Prishtina marrin një pjesë të fitimit nga kontrabanda në veri.

Në shkrimin e“Foreign Policy” thuhet se Veriu i Kosovës edhe pse është një zonë e kontestuar, është shumë fitimprurës për elitat në Prishtinë dhe Beograd, të cilat sipas FP bëjnë shfaqje sikur e urrejnë njëra tjetrën, por në fakt vetëm e kalojnë fitimin nga një anë në anën tjetër.

E lidhur me këtë, për “Kosova Sot Online”, ka folur analisti politik, Florim Zeqa.

Image
Florim Zeqa

Duke ju referuar gjendjes në teren për dy dekada, ai thotë se ky shkrim hulumtues i gazetës amerikane e zbulon me fakte se si funksionon një rrjet i tërë i krimit në Veri dhe në tërë territorin e Kosovës. Sipas tij, kjo dëshmon që Kosova në gjithë hapësirën e vetë është në duart e pushtetarëve të inkriminuar dhe nëntokës kriminale, derisa nuk vepron drejtësia por i mbyllë sytë për 20 vite.

“Veriu i Kosovës, përveç se një zonë e kontestuar dhe kontrolluar nga strukturat e Serbisë, është një zonë tejet fitimprurëse për elitat politike në Prishtinë dhe Beograd. Me veriun e Kosovës tani e 20 vite po bëhet vetëm loje mediatike, ku elitat politike të dy shtetevebëjnë vetëm shfaqje teatrale para popullit të tyre, kinse e urrejnë njëra tjetrën, ku vetëm shkëmbejnë mallra të kontrabanduara nga njëra anë në tjetrën dhe e kalojnë fitimin nga njëra anë në tjetrën”, tha Zeqa për “Kosova Sot Online”.

Sipas tij, kjo mënyrë e veprimit kriminal nga të dyja anët më së miri u dëshmua me lojën e taksës, si kulmi mashtrimit me qytetarët.

“Është pikërisht kështu për faktin, se edhe përkundër aplikimit të Taksës 100 %" , nuk u vërejt mungesa e produkteve serbe në Kosovë, madje në disa raste kemi pasur dyfishim të tyre. E gjithë kjo si rezultat i rrjetit kriminal në veri të vendit dhe i shtrirë në gjithë Kosovën. Pra, i tërë rrjeti kriminal dhe kontrabanda janë të drejtuara nga pushtetarët e inkriminuar dhe nëntoka kriminale”, theksoi Zeqa për “Kosova Sot Online”. 

Zeqa shprehet se si pasojë e kontrollit të plotë të politikes mbi sistemin e drejtësisë, për 20 vite rresht, e në veçanti në këto 11 vitet e pas pavarësisë, ka heshtur prokuroria e shtetit duke u bërë pjesëmarrëse indirekte në krim të organizuar.

“Ndryshe, mbyllja e syve të prokurorëve para krimit të organizuar nuk ka shpjegim tjetër. Aq i përhapur është krimi i organizuar në vendin tonë, sa që nuk ka qytetar të vendit që nuk e thotë këtë gjë, nuk ka medie vendore e ndërkombëtare që nuk flet e shkruan për krimin e organizuar dhe kontrabandën në veri,e këtë së fundmi po e thonë edhe zyrtarë të lartë perëndimor, organizata dhe agjensione ndërkombëtare që merren me krimin e organizuar, por që ka mbetur "tabu" për prokurorin e shtetit tonë”theksoi Analisti Zeqa për Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)