Sabit Geci shkruan letër nga burgu: Kam heshtur gjatë…

  • 07 qershor 2019 - 13:44
Sabit Geci shkruan letër nga burgu: Kam heshtur gjatë…

Ish- eprori i UÇK-së, Sabit Geci u është drejtuar me një letër nga burgu udhëheqësve të vendit.

Në letrën e tij, Geci ka shprehur dëshpërim për gjendjen në vend, duke thënë se ajo u shkaktua nga veprime dhe mosveprimet e udhëheqësve

Tutje, Geci ka shkruar se ndihet keq që ai me shumë luftëtarë u prezantuan si kriminel, derisa u harruan kriminelët e vërtetë serb.

Më poshtë letra e Gecit:

Të nderuar qytetar të Kosovës ! Asnjëherë ,nuk më ka shkuar mendja se do të vinte dita kur do t’u drejtohesha me këtë letër e sidomos jo me këtë përmbajtje.

Por sikur shumëçka tjetër kjo është vetëm një gjë që nuk më ka shkuar ndërmend se do te ndodh ndonjëherë. Unë e kam menduar shumë herë se nuk do të përjetojë lirinë e Kosovës por nuk e kam menduar se gjatë saj do t’u lakmoj shokëve që ranë.

Ky dëshpërim është më i rëndë se çdo plumb i armikut në betejë. Është më i rëndë sepse nuk vjen vetëm si rezultat i punës së armikut. Gjendja e rëndë e Kosovës sot është rezultat i veprimeve dhe mosveprimeve të udhëheqësve tanë.

Kam heshtur gjatë, duke kuptuar gjendjen në të cilën jam katandisur pas lufte si nevojë për sakrificë. Edhe katandisja ime është punë e shokëve të mi më shumë punë e tyre se sa e armikut. Dhe nuk mund të heshti më, jo për gjë tjetër por se jam bindur se goditjet që më bëhen mua dhe njerëzve që kanë kontribuar nuk janë për të mirë të vendit.

Përkundrazi ato e kanë denigruar rezistencën tonë, derisa është denigruar e arritura sublime siç janë liria dhe pavarësia, derisa tash po denigrohet edhe dinjiteti i viktimave të këtij vendi. Me dhemb shpirti që nuk kishim me shumë forcë.

Të mbrojmë secilin qytetar tonin nga çmenduria serbe. Të mbrojmë secilën grua, motër e nënat tona. Por nuk e kuptoj se si ndodhi qe prej paslufte askush nuk foli. Të gjithë në fakt u murrën me ne. Na prezantuan neve si kriminel e u harruan kriminelët serb.

Derisa po shkruaj nuk po mund ta kuptoj si ndodh që ende nuk kemi krijuar gjykatë që i ndjek ato krime.

Kam një mesazh për bashkëluftëtarët në pushtet: Krijuat UNMIK, EULEX e Tribunal Special për tu marrë më bashkëluftëtarët tuaj, e nuk krijuat asnjë mekanizëm për t’i ndjekur krimet e Serbisë? Nga kush u frikësuat? Për çfarë veprash u frikësuat?

Në pazar me kë e bletë lirinë tuaj në dëm të së vërtetës?! E keni obligim që të përgjigjeni në këto pyetje. Jo ndaj meje por ndaj qytetarëve. Unë e di rrugën time. Do të sakrifikojë çdo gjë. I dëshpëruar skajshmërish do të përballem me secilin institucion që kërkon të vërtetën.

Do ta them atë ashtu siç është sepse vetëm e vërteta e mbron Kosovën. E mbron nga armiku. E mbron edhe nga ju.

Letër nga burgu

(Kosova Sot Online)