Trump kërcënon sërish Meksikën me taksa për shkak të imigrantëve

  • 10 June 2019 - 13:59
Trump kërcënon sërish Meksikën me taksa për shkak të imigrantëve

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, tha të hënën se shteti i tij e ka nënshkruar një marrëveshje tjetër për imigrimin dhe sigurinë me Meksikën, e cila duhet të miratohet nga ligjvënësit meksikanë.

Ai nuk dha hollësi të tjera, por kërcënoi se do ta fillojë zbatimin e taksave, nëse kuvendi i Meksikës nuk e miraton këtë marrëveshje.

“Ne e kemi nënshkruar një pjesë tjetër shumë të rëndësishme të marrëveshjes për imigrimin dhe sigurinë me Meksikën, një marrëveshje që Shtetet e Bashkuara e kanë kërkuar për vite të tëra. Ajo do të publikohet në të ardhmen e afërt dhe duhet të votohet nga organi legjislativ i Meksikës”, shkroi Trump në Twitter.

Ai shtoi: “Nuk presim ndonjë problem sa i përket votimit, por nëse për ndonjë arsye miratimi nuk bëhet, taksat do të kthehen”.

Presidenti amerikan e kishte kërcënuar Meksikën me pesë për qind taksa ndaj mallrave të saj muajin e kaluar. Sipas tij, ato do të rriteshin për pesë për qind çdo muaj, nëse Meksika nuk merr masa për t’i ndalur imigrantët në kufirin me Shtetet e Bashkuara. Sidoqoftë, taksat u anuluan të premten e kaluar pas të dyja vendet arritën marrëveshje për këtë çështje, shkruan “Reuters”.

(Kosova Sot Online)