Samiti i Parisit, vjen paralajmërimi për Kosovën: Ja pse nuk duhet të hiqet taksa ndaj Serbisë

  • 12 June 2019 - 07:44
Samiti i Parisit, vjen paralajmërimi për Kosovën: Ja pse nuk duhet të hiqet taksa ndaj Serbisë

Zyrtari i lartë i Departamentit të Shtetit, Metju Palmer ka deklaruar se taksat që ka vendosur Prishtina janë pengesë e dialogut mes Beogradit dhe Prishtinës dhe e rrugës së tyre evropiane, andaj Uashingtoni dëshiron që ato të hiqen. E lidhur me këtë, analistët politikë thonë se pavarësisht që kërkesa për pezullimin e takës vjen nga SHBA-ja, ata nuk preferojnë pezullimin e kësaj takse deri në arritjen e marrëveshjes së obligueshme për të dyja palët, pasi sipas tyre. përvojat e deritashme kanë treguar që shteti serb nuk i respekton marrëveshjet edhe kur janë me ndërmjetësim të fuqishëm ndërkombëtar.

Sipas analistit politik, Ramiz Bojaj, taksa duhet të mbetet në fuqi pavarësisht ecurisë së dialogut Kosovë-Serbi.

Image

“Nëse palët janë të gatshme për marrëveshje parimore, atëherë dialogu duhet të vazhdojë edhe pa u hequr taksa. Kur flasim për kushtëzimet, Kosova ka gëlltitur shumë dhimbje, plagë e mbi plagë, duke synuar qe të dyja shtetet e porsa dala nga ciklimi i luftës, mund të gjejnë një pajtueshmëri që do t'i ndihmonte të dy popujt në armiqësi të gjejnë disa pika të përbashkëta të normalizimit e të fqinjësisë së mirë”, tha Bojaj për “Kosova Sot Online”.

Më tej, ai ka thënë se deri më tani ishte Serbia ajo që e keqpërdori në mënyrë të paskrupullt veprimin paqësor të Republikës së Kosovës, ku edhe pas një dekade bisedimesh, jo vetëm që nuk e vrau ndërgjegjen për krimet e saja, por vazhdoi egërsinë e saj kundër shtetit të ri duke kopjuar 100% ish diktatorin, Sllobodan Millosheviq.

“Taksa nuk është vendosur për ta minuar dialogun, e as për të acaruar marrëdhëniet, por kjo u bë, për ta mbrojtur Kosovën dhe qytetarët e këtij vendi nga mallrat kancerogjene serbe, nga krimbat e ricikluar e nga tregtia jo lokale”, theksoi Bojaj për “Kosova Sot Online”.

Sipas Bojajt, Serbia duhet të detyrohet të respektojë këtë realitet, por me këtë duhet të pajtohen edhe miqtë ndërkombëtarë.

“Për këtë miqtë tanë duhet të kenë mirëkuptim për qëndrimin tonë, sepse thika na erdhi në asht nga qëndrimi fashist i politikës agresive serbe. Edhe zyrtari i lartë i Departamentit të Shtetit Amerikan Metju Palmer duhet të na mirëkuptojë, shumë sinqerisht dhe vëllazërisht. Serbia duhet të heqë dorë nga agresioni i saj kundër Kosovës. Presioni ndërkombëtar duhet të kthehet kah Beogradi për të filluar dialogun serioz me Republikën e Kosovës. Fillimisht për t'u distancuar nga terrori i ushtrisë dhe i policisë serbe ndaj civilëve shqiptarë në vitet 1998-'99, kthimin e të zhdukurve, dëmshpërblimet e luftës, dhe për të pranuar realitetin me njohjen e shtetit të pavarur e sovran të Kosovës”, përfundoi Bojaj për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)