ShBA kërkon ekstradimin e një të arrestuari në Gjakovë për prostitucion

  • 17 June 2019 - 11:49
ShBA kërkon ekstradimin e një të arrestuari në Gjakovë për prostitucion

Prokuroria Themelore në Gjakovë, pasi ka pranuar një kërkesë të përcjellë nga ana e Interpolit, përmes së cilës është kërkuar ekstradimi i të dyshuarit R.B., nga Gjakova, nga autoritetet shtetërore të SHBA-së, ka paraqitur kërkesë në Gjykatën Themelore në Gjakovë, për masën e caktimit të paraburgimit kundër të pandehurit, për shkak se i njëjti dyshohet se ka kryer veprat penale “ mundësimi ose detyrimi në prostitucion” nga neni 234 të KPRK-së dhe “ blerja, posedimi, shpërndarja apo shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”, nga neni 267 paragraf 2 lidhur me paragraf 1 të KPRK-së.

“Në kërkesën për ekstradim ceket se në vitin 1998 R.B., ka hyrë në SHBA dhe ka qëndruar në mënyrë ilegale, dhe nga janari i vitit 1998 e deri në shtator të vitit 2001, dyshohet se i njëjti e ka ndihmuar vëllain e tij për të zhvilluar një ndërmarrje të prostitucionit dhe narkotikëve, në Fairbanks në Alaska”, thuhet në njoftimin për media.

Prokurori i rastit ka konsideruar se në bazë të Ligjit për Bashkëpunim Juridik dhe Ndërkombëtar në çështjet penale dhe në bazë të marrëveshjes mbi ekstradim në mes të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe SHBA-së, janë plotësuar kushtet për ekstradim, prandaj ka bërë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në afat prej 40 ditësh.

(Kosova Sot Online)