Plani Thaçi-Vuçiq, vjen alarmi i rëndë: Ja rreziku i ri për Kosovën

  • 17 June 2019 - 14:51
Plani Thaçi-Vuçiq, vjen alarmi i rëndë: Ja rreziku i ri për Kosovën

”Secili kompromis i palës kosovare në formatin e ri të bisedimeve, do të jetë tepër i dhimbshëm për Kosovën, ndërkaq çdo lëvizje e kufijve do të thotë shpërblim për Serbinë gjakatare, shkaktaren e katër luftërave në hapësirat e ish Jugosllavisë, shkaktaren e qindra mijëra viktimave dhe dëmeve të pallogaritshme materiale katër popujve të Ballkanit”, tha Zeqa për “Kosova Sot Online”.

Ish-diplomati amerikan dhe njohësi i çështjeve që ndërlidhen me Ballkanin, Daniel Serwer ka kundërshtuar edhe njëherë idenë e shkëmbimit të territoreve mes Serbisë dhe Kosovës, ide kjo e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit dhe atij serb, Aleksandër Vuçiq.

Sipas ish diplomatit amerikan, asnjëri prej këtyre dy presidentëve nuk mund t’i japin njëri tjetrit atë çfarë dëshirojnë, brenda idesë së shkëmbimit të territoreve. 

“Për presidentin tuaj unë e them këtë” Vuçiq nuk mund t’iu jap juve atë që dëshironi në jug të Serbisë dhe ju nuk mund t’i jepni çfarë ai dëshiron në veri të Kosovës. As parlamenti, as përmes referendumit, apo as i gjithë vendi nuk mund të aprovojë një marrëveshje të tillë. Shkëmbimi i njerëzve dhe territoreve në baza etnike jo vetëm që do të demonstron që as Prishtina e as Beogradi nuk janë në gjendje të trajtojnë të gjithë qytetarët e tyre në mënyrë korrekte. Një ide e tillë do të destabilizonte Bosnjën, Gjeorgjinë, Moldavinë dhe Ukrainën”, ka thënë Serwer.

E analistët politik theksojnë se ky opsion i Thaçit dhe Vuçiqin, po e merr dita ditës goditjen serioze dhe të pa kthyeshme. Por ata alarmojnë se derisa Hashim Thaçi të jetë në krye të shtetit dhe të delegacionit për bisedime, rreziku ekziston për vendime të pa parashikueshme.

Image
Florim Zeqa

Sipas analistit politik, Florim Zeqa, edhe përkundër goditjeve të njëpasnjëshme që po merr opsioni i ndarjes dhe shkëmbimit të territoreve mes Kosovës e Serbisë sipas projektit skandaloz Vuqiq-Thaçi, rreziku i ndarjes është permanent derisa mos të largohet Hashim Thaçi nga procesi i dialogut, sepse vetëm atëherë del nga agjenda përfundimisht një projekt i tillë.

“Ato që i tha ish-diplomati amerikan dhe njohësi i çështjeve që ndërlidhen me Ballkanin, Daniel Server, në një konferencë dedikuar sigurisë janë të sakta, sikurse që është real edhe rreziku nga një marrëveshje e mundshme mes Vuqiqit e Thaçit. Bashkësia ndërkombëtare, duke e parë rrezikun nga Projekt-Marrëveshja në mes Vuçiqit e Thaçit, i ka aktivizuar mekanizmat shtesë (Merkel-Macron) për menaxhimin e situatës konfliktuoze që mund të prodhojë një marrëveshje të mundshme për ndryshim kufijsh mes Kosovës dhe Serbisë”, tha Zeqa për “Kosova Sot Online”. 

Sipas analistit Zeqa, nëse del të jetë e vërtetë projekt-marrëveshja Vuçiq-Thaçi për korrigjimin e kufijve e publikuar në mediet ndërkombëtare, atëherë kjo do të jetë "patatja e nxehtë" e Samitit të Parisit dhe kafshatë e hidhët për qytetarët e Kosovës.

”Secili kompromis i palës kosovare në formatin e ri të bisedimeve, do të jetë tepër i dhimbshëm për Kosovën, ndërkaq çdo lëvizje e kufijve do të thotë shpërblim për Serbinë gjakatare, shkaktaren e katër luftërave në hapësirat e ish Jugosllavisë, shkaktaren e qindra mijëra viktimave dhe dëmeve të pallogaritshme materiale katër popujve të Ballkanit”, theksoi analisti Zeqa për “Kosova Sot Online”.

Ai po ashtu thekson se paralajmërimet e Daniel Serwer, se prekja e kufijve rrezikon sigurinë e gjithë rajonit madje edhe të Evropës, ngre akoma më tepër dilemat dhe shqetësimet për një marrëveshje të fshehtë në mes Thaçit e Vuqiqit sepse ka akoma zëra që e shohin këtë zgjidhje në tavolinë bisedimesh.

“Deklaratat e më hershme të zyrtarëve amerikan, që e pranojnë çdo marrëveshje të arritur mes Kosovës dhe Serbisë, përkatësisht Thaçit e Vuqiqit, është tregues për të papritura të reja në formatin e ri të dialogut, pas Samitit të Parisit”, përfundoi për “Kosova Sot Online”, analisti politik, Florim Zeqa.

(Kosova Sot Online )