Britania dënon me burgim dy adoleshentë neonazistë që nxisnin sulme terroriste

  • 18 June 2019 - 15:50
Britania dënon me burgim dy adoleshentë neonazistë që nxisnin sulme terroriste

Dy adoleshentë të një grupi neonazistë në Britani të Madhe janë dënuar me disa vjet burgim për shkak të nxitjes së sulmit ndaj Princit Harry për shkak të martesës me një grua të racës së përzier.

Michael Szewczuk, 19-vjeçar, nga qyteti Leeds dhe Oskar Dunn-Koczorowski, 18-vjeçar, nga pjesa perëndimore e Londrës ishin pjesë e një grupi të quajtur “Sonnenkrieg Division”. Një gjykatëse në Old Bailey tha se propaganda e tyre në internet ishte bërë me qëllime të këqija dhe paraqet vepër kriminale.

Dunn-Koczorowski u dënua me një vit e gjysmë burgim dhe trajnim të detyrueshëm, ndërsa Michael Szewczuk u dënua me pak më shumë se katër vjet burgim. Adoleshentët e dënuar, të cilët morën pjesë në seancë përmes video-lidhjes, nuk reaguan fare ndaj vendimit të gjykatës.

Në gjykatë u tha se këta adoleshentë kanë përdorur pseudonime të ndryshme për llogari personale në një rrjet të medias sociale dhe e kanë kontrolluar faqen e grupit “Sonnenkrieg Division”, ku kanë publikuar propagandë që nxiste sulme terroriste.

Në materialet propaganduese të dy adoleshentëve shkruhej se Duka i Suseksit është tradhtar i racës dhe se duhet të qëllohet për vdekje. Në to vlerësohet lart vrasësi masiv nga Norvegjia, Anders Breivik dhe thuhej se gratë e bardha që takohen me burra të racave tjera duhet të varen me litar.

Gjykatësja e këtij rasti shtoi se ideologjia e përhapur nga këta dy adoleshentë ishte e dhunshme, raciste, antisemitike dhe neonaziste, duke shtuar se në të përfshihej promovimi i dhunës politike përmes aksioneve individuale ose grupeve të vogla terroriste, shkruan “BBC”.

(Kosova Sot Online)