Shpërthejnë akuza të rënda për ish komandantët e luftës

  • 18 June 2019 - 16:58
Shpërthejnë akuza të rënda për ish komandantët e luftës

“Nuk thuhet kotë se heronjtë e sjellin lirinë ndërsa horrat i korrin frytet e saj. Dhe kjo mbase më së miri u shpërfaq në kremtimin e 20 vjetorit të çlirimit të Kosovës, ku zëri i çlirimit, lirisë së Kosovës dhe vuajtjeve e sakrificave të popullit, u bënë ata që për gjithë këto vite abuzuan me lirinë e Kosovës’, tha analisti Nexhat Haziri për “Kosova sot Online”.

Gjatë javës së kaluar, Kosova shënoi 20 vjetorin e çlirimit nga pushtuesi serb dhe hyrjen e trupave ndërkombëtare në Kosovë.

E duke folur lidhur me këtë 20 vjetor, analisti politik, Nexhat Haziri, thotë se është e turpshme për qytetarin kur shihen figurat e abuzuesve me merita të luftës, madje edhe me fondet, që dalin dhe flasin sot për kontributin dhe sakrificën, ngase përveç se përfitues të gjahut të luftës ata nuk kanë dhënë gjë për këtë popull dhe për këtë liri.

Image
Nexhat Haziri

“Nuk thuhet kotë se heronjtë e sjellin lirinë ndërsa horrat i korrin frytet e saj. Dhe kjo mbase më së miri u shpërfaq në kremtimin e 20 vjetorit të çlirimit të Kosovës, ku zëri i çlirimit, lirisë së Kosovës dhe vuajtjeve e sakrificave të popullit, u bënë ata që për gjithë këto vite abuzuan me lirinë e Kosovës. Ky soj njerëzish që për fat të keq në emër të lirisë tash e më shumë se një dekadë po vazhdojnë sundimin e tyre, janë ata që ngritën piramidat e tyre të pasurisë duke keqpërdorur edhe fondet e luftës, si 3 % dhe " Vendlindja Thërret" pa dhënë asnjë llogari për këto para që ishin djersë dhe sakrificë e mërgatës tonë dhe menjëherë pas luftës me medaljonin në qafë prej cikërrimtarëve të rrejshëm vranë këdo që e panë si pengesë në rrugën e tyre për pushtet, nam dhe para, uzurpuan dhe plaçkitën pronën shoqërore, duke u shndërruar në kokat e krimit të organizuar në Kosovë”, tha Haziri për “Kosova Sot Online”.

Sipas analistit Haziri, të gjitha të zezat që i kanë ndodhur dhe po i ndodhin sot Kosovës, vijnë nga këta ish “komandantë”, pasi Kosova është ende një shtet i brishtë që akoma nuk ka drejtësi të pa varur e cila e garanton njësoj dhe në mënyrë të barabartë shtetin e së drejtës për secilin qytetar, edhe për ata që rrahin gjok në emër të kontributit të luftës dhe të lirisë. 

“Të tillët bën gjithçka që Kosova të jetë sot e tillë, pasi jemi një shtet ku nuk funksionon ligji dhe drejtësia, sepse dihet që kjo nuk do iu konvenonte as "Gjarprit" as "Lulit", as "Smajlit" dhe të tjerëve nga tarafi i " komandantëve". Pra të gjitha të zezat që ndodhën në këtë vend , çdo vlerë e abuzuar, mbajnë vulën e këtyre "komandantëve" dhe vetëm vënia para drejtësisë së këtyre njerëzve mund t’ia kthej dinjitetin e qytetarëve dhe shpresën për Kosovën si një vend me të ardhme të sigurt demokratike dhe prosperuese”, tha analisti Haziri për Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)