Paralajmëron analisti nga SHBA: Vrasjet politike, Gjykata Speciale do ta trondit Kosovën

  • 25 June 2019 - 13:13
Paralajmëron analisti nga SHBA: Vrasjet politike, Gjykata Speciale do ta trondit Kosovën

“Sa i përket shqyrtimit të vrasjeve politike, atentateve dhe krimeve zinxhirore të pasluftës, kjo duket se ka tronditur 'elitën' aktuale politike të Kosovës, e cila, me çdo çmim e me çdo kusht bënë përpjekje të shmangët nga përgjegjësia nga ndjekjet dhe akuzat e kësaj natyre”, tha analisti Bojaj për “Kosova Sot Online”.

Gjykata Speciale e krijuar nga Kuvendi i Kosovës në vitin 2015, tashmë ka intervistuar shumë persona por ende nuk ka ngritur asnjë aktakuzë.

E lidhur me punën e Speciales dhe mos ngritjen e aktakuzave, për “Kosova Sot Online”, ka folur analisti politik që jeton dhe vepron në SHBA, Ramiz Bojaj.

Ai thotë se tashmë raporti i Dick Martyt është demaskuar në mungesë të fakteve, por që Specialja pritet të ketë punë të madhe me vrasjet politike të ndodhura pas luftës në Kosovë.

Image
Ramiz Bojaj

“Raporti i Dick Martit ka kohë që është demaskuar në mungesë të dëshmive e fakteve dhe si i tillë nuk paraqet kurrfarë rreziku për prishjen e imazhit të Kosovës e as luftës së UÇK-së. Të apostrofuarit në rastin e Martit nuk do duhej të fshiheshin pas luftës çlirimtare, por të dëshmojnë e të demantojnë shpifjet e Dick Martit, në mënyrë qe kjo gjykatë të mos qëndrojë si shpatë e Serbisë kundër Kosovës. Kur nuk ka fakte bëjnë akuzat ngase Prokurori i Specializuar dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar bazohen tek faktet, jo tek krimet e supozuara. Sa i përket shqyrtimit të vrasjeve politike, atentateve dhe krimeve zinxhirore të pasluftës, kjo duket se ka tronditur 'elitën' aktuale politike të Kosovës, e cila, me çdo çmim e me çdo kusht bënë përpjekje të shmangët nga përgjegjësia nga ndjekjet dhe akuzat e kësaj natyre. Kjo për faktin se zbulimi i krimeve politike të pasluftës, shantazhimin dhe eliminimin e shumë figurave të larta kombëtare, politike e ushtarake të UÇK-së, do të tronditë një numër të madh 'kapedanësh' të cilët sot janë në majën e pushtetit të Kosovës”, deklaroi Ramiz Bojaj për “Kosova Sot Online”.

Sipas Bojajt, të tillët do të bëjnë çmos që Gjykata Speciale të mos arrijë të konkretizojë punën e saj, dhe shtohet rreziku i mundshëm i destabilizimit të Kosovës. 

“Stabiliteti i Kosovës është në zgrip të destabilizimit, dhe kjo ndodh sa herë që figura të larta politike vihen në pozita për të dhënë llogari për akuzat që i rëndojnë ata”, tha Bojaj për “Kosova Sot Online”.

Madje ai thotë se ky destabilizim mund të vije i orkestruar nga vetë Hashim Thaçi në bashkëpunim me Aleksandër Vuqiqin, vetëm e vetëm që ta finalizojnë planin famëkeq të ndarjes.

“Destabilizimi i mundshëm i Kosovës është real, sepse këtë e kanë paralajmëruar edhe Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe Aleksandri i Serbisë, të cilët bëjnë presion të madh për realizimin e marrëveshjes së tyre, të ashtuquajtur finale Kosovë-Serbi e qe nënkupton realizmin e planit serb për aneksimin e veriut të Kosovës dhe neutralizimin e gjigantëve ekonomikë të vendit tonë. Ky është sikleti i ngutjes së marrëveshjes me Serbinë’, theksoi analisti nga Amerika, Ramiz Bojaj për “Kosova Sot Online”.

“Presionet e kërcënimet e Thaçit e Vuqiçit për destabilizim të Kosovës janë shumë evidente kohët e fundit, të koordinuara mjaft mirë në Prishtinë e Beograd. Ky presion ndodh për faktin se 'peshqit e mëdhenj' të pushtetit të vendit tonë, duan qe “lirinë” e tyre ta blejnë , në marrëveshje me armikun, duke e zhbërë projektin e shtetit të Kosovës. Kjo nënkupton fshehje të vrasjeve politike kundër elitës shqiptare”, përfundoi analisti politik, Ramiz Bojaj për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)