Alarmon eksperti anti-korrupsionit: Drejtësia po mashtron, zhduken rastet e shenjëzuara

  • 30 June 2019 - 15:30
Alarmon eksperti anti-korrupsionit: Drejtësia po mashtron, zhduken rastet e shenjëzuara

“Nuk ka sundim të rendit të ligjit derisa kemi prokurorë e gjyqtar të pasur e të korruptuar në koalicion joparimor me politikën e kundër qytetarit. Qe së paku pesë vite trumbetohet për rastet e shenjëzuara, rastet të cilat do të marrin epilogun dhe të cilat do të përfundojnë me aktgjykime meritore dhe konfiskime të pasurisë por nuk po i shohim këto veprime”, tha Preteni për “Kosova Sot Online”

Njohësit e fushës së sundimit të ligjit kanë vlerësuar se mungesa e guximit të Prokurorisë dhe Gjykatave të Kosovës për tu ballafaquar me krimin e organizuar të nivelit të lartë të politikës, ka bërë që edhe në raportet ndërkombëtare dhe ato vendore të evidentohet në vazhdimësi dështimi i drejtësisë kosovare që të shënjestrojë rastet e profilit të lartë të krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Image

Sipas analistëve, vetëm pas presionit të lartë ndërkombëtar, institucionet e drejtësisë në Kosovë kanë tentuar të krijojnë mekanizma se kinse po e luftojnë korrupsionin dhe krimin e organizuar dhe kjo është bërë për të mashtruar qytetarët e Kosovës dhe ndërkombëtarët.

Këtë dështim të madh e ka hetuar edhe njohësi i kësaj fushe, Hasan Preteni.

Ai thotë se as Raporti i Progresit, as raporti i DASH-it, as raporti i TI-se e asnjë nga raportet e mekanizmave vendorë nuk po ndikon në ndryshimin e qasjes se segmentit të drejtësisë për ta luftuar dhe eliminuar sado pak krimin dhe korrupsioni pasi mungon vullneti politik.

“Derisa nuk ka vullnet politik për ti ndryshuar gjërat asgjë nuk do të ndryshohet vetvetiu. Të gjitha raportet në një anë, kurse presioni politik në anën tjetër dhe nuk ka efekte . Nomenklatura politike duhet të ndryshohet nëse duhet të ndryshoj sistemi”, tha Preteni për “Kosova Sot Online”.

“Nuk ka sundim të rendit të ligjit derisa kemi prokurorë e gjyqtar të pasur e të korruptuar në koalicion joparimor me politikën e kundër qytetarit. Qe së paku pesë vite trumbetohet për rastet e shenjëzuara, rastet të cilat do të marrin epilogun dhe të cilat do të përfundojnë me aktgjykime meritore dhe konfiskime të pasurisë por nuk po i shohim këto veprime. Tentuan të vënë në lajthitje mekanizmat Evropian se ata do të na liberalizojnë vizat vetëm nëse i ngrisim aktakuzat por ky ishte një bllof i radhës”, tha Preteni për “Kosova Sot Online”.

Sipas tij, ndërkombëtarët nuk mashtrohen me improvizime të tilla e me premtime të kota sepse po të ishin të tilla nuk do të arrinin aty ku janë sot.

“Asnjë rast nga “rastet e shenjëzuara" nuk ka përfunduar dhe nuk do të përfundojnë asnjë herë. Nuk përfunduan as rastet e përcjella nga EULEXI e as nga UNMIKU. Pra jemi dëshmitar të asaj se çka po ndodhë me rastet që kinse po gjykohen tani, improvizime dhe kalkulime që kanë vetëm një qëllim, kalimin e kohës”, theksoi Preteni për “ Kosova Sot Online”.

“Nuk ka prokurorë të interesuar t’i fitojnë rastet në gjykata. Nuk matet performansa e tyre në bazë të rasteve të fituara, nuk kanë llogaridhënie dhe nuk ka transparencë. Tani pas publikimit të këtij raporti prokuroritë dolën me një bllamazh tjetër, për një ditë i publikuan 71 akuza”, tha eksperti i së drejtës, Hasan Preteni për “Kosova Sot Online”.

E kur bëhet kjo lojë, Preteni pyet se ku ishin ato deri më tani dhe si është e mundur teknikisht të procedohet me 71 akuza për një ditë.

“Prandaj ky është një bllof i radhës. Në këto akuza akuzoheshin kinse 86 persona, por këto nuk qenkan vepra të krimit të organizuar. Duke mos publikuar as emrat e të akuzuarve, dyshoj që në këto raste po jepen shifra sa për statistika dhe mundë të ketë vetëm numra fantom. Pra numra fantom, vepra minore (prerje ilegale, tregti me bagëti...) dhe persona, fakirë të sakrifikuar. Kjo nuk është asgjë tjetër por vetëm tentim për mashtrimin e radhës, epilogu do t jetë i njëjtë...humbje kohe”, përfundoi Hasan Preteni për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)