Dekonspirohet marrëveshja sekrete mes Haradinajt dhe Ahmetit, tradhtohen LDK dhe VV

  • 05 July 2019 - 19:40
Dekonspirohet marrëveshja sekrete mes Haradinajt dhe Ahmetit, tradhtohen LDK dhe VV

“Me këtë rast z. Ahmeti e ka siguruar edhe një herë kryeministrin se përkundër thirrjeve të pareshtura të (lidhjes së dajak gjinjve të Kosovës) LDK-s, PSD nuk do ti bashkojë votat me listën serbe për rrëzimin e Haradinajt nga pushteti”, tha Qarri për “Kosova Sot Online”.

Image
Gani Qarri

Analisti politik, Gani Qarri e ka vlerësuar vrapimin e kryeministrit, Ramush Haradinaj për tu takuar me urgjencë me kreun e komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti si një takim të zorit për t’i kërkuar këtij të fundit që votat e 12 deputetëve të tij në Kuvendin e Kosovës, të mos i bashkohen mocionit opozitar për rrëzimin e qeverisë.

Dhe këtë garanci, sipas Qarrit, Shpend Ahmeti ia ka ofruar kryeministrit Haradinaj me një çmim shumë të lartë për përfitime personale.

“Se Shpend Ahmeti po e përdor për përfitime personale dhe interesa të tij qeverinë aktuale e dëshmoi edhe takimi i ditës së mërkurë me kryeministrin Ramush Haradinajn, takim që erdhi menjëherë pasi Gjykata Kushtetuese e ka shpallur anti kushtetues ekipin negociator të Kosovës. Me këtë rast z. Ahmeti e ka siguruar edhe një herë kryeministrin se përkundër thirrjeve të pareshtura të (lidhjes së dajak gjinjve të Kosovës) LDK-s, PSD nuk do ti bashkojë votat me listën serbe për rrëzimin e Haradinajt nga pushteti”, tha Qarri për “Kosova Sot Online”.

Sipas Qarrit, edhe ky takim ka dëshmuar se sikur në të kaluarën, edhe tani e tutje do të jenë votat e 12 deputetëve të PSD-së që do të vendosin për fatin e këtij koalicioni qeverisës, aq sa ata do të kenë interes, sado që LDK dhe VV insistojnë në rrëzimin e shpejtë të qeverisë.

“Kjo dëshmon se votat e PSD-s dhe pazarxhiut Shpend Ahmeti janë ato që në këto momente,përkundër "yryshit" të ushtarëve të lodhur e me heshta të thyera të Isa Mustafës nga luftimet e brendshme me karrige, ende po e mbajnë ne këmbë qeverinë e Ramush Haradinajt, me gjithë vazhdimin e shantazheve nga shumë anë, për qëllime dhe përfitime partiake dhe kriminale”, përfundoi Qarri për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)