Denoncimi i rëndë nga profesori i njohur: Drejtësia kosovare e kapur nga klani “Pronto”

  • 09 July 2019 - 08:13
Denoncimi i rëndë nga profesori i njohur: Drejtësia kosovare e kapur nga klani “Pronto”

“Tash kemi një sistem tërësisht të varur. Prokuroritë të gjitha , pavarësisht nivelit, gjenden nën kontrollin e grupit të PDK-së të udhëhequr nga Abelard Tahiri. E tërë kjo vërehet nga mos kapja e krimit dhe e korrupsionit të lartë në hierarkinë politike e ekzekutive dhe në ekonominë informale, për të kaluar pastaj nëpër prokurori dhe në gjykata”, tha profesor Kelmendi për “Kosova Sot Online”.

Të gjitha raportet vlerësuese për sistemin e drejtësisë në Kosovë, jo vetëm ato nga organizatat ndërkombëtare por edhe vendore, vazhdojnë të jenë tepër kritike dhe me plotë gjetje dështimi për sistemin e drejtësisë kosovare.

Bazuar në këto fakte, profesori i së drejtës, Muhamet Kelmendi e konsideron se është bërë pothuajse mision i pamundur lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit në Kosovë.

Image
Muhamet Kelmendi

“Sidomos pasi që pushtetarët e nivelit të lartë që janë të lidhur me mafio-oligarkët dhe nëntokën kriminale kanë instaluar një kastë të prokurorëve dhe gjyqtareve të vetë nënshtruar , që japin llogari e përgjegjësi vetëm para mafio-oligarkëve të politikës e pushtetit kriminal sikur edhe ndaj mafio-oligarkëve të krimit te organizuar, dhe jo edhe ndaj ligjit e kushtetutës se vendit në të cilat kinse janë "betuar" në emër të popullit por para “Sulltanit president””, thotë Kelmendi për “Kosova Sot Online”.

Më tej, Kelmendi thotë se për krejt këtë katrahurë që ka kapur këtë sistem e fajëson partinë në pushtet, PDK-në, e cila tash e tri mandate rresht e drejton ministrinë e drejtësisë dhe krijon politikat e sundimit të ligjit, duke ushtruar ndikimin e politik edhe në institucionet e pa varura të drejtësisë, prokurori, gjykata dhe polici.

Kulmi i dështimit në këtë fushë, sipas profesor Kelmendit është ky mandat i tanishëm, ku resori i drejtësisë i është besuar ministrit Abelard Tahiri, një vartës besnik i Hashim Thaçit.

“Dështimet e ministrit të drejtësisë, Abelard Tahirit, janë të dukshme dhe shumë nën ndikimin e politikës si dhe nën ndikimin e klanit "PRONTO". Nuk duhet shumë për tu futur në analizën e punës së kësaj ministrie dhe menjëherë dalin dështimet dhe vartësitë totale të kësaj veprimtarie nga grupi politik dhe shumë i rrezikshëm i Thaçit”, tha profesor Kelmendi për “Kosova Sot Online”.

Prandaj sipas Kelmendit, njohësit e mirë të kësaj fushe me kohë po kërkojnë "VETTING"në sistemin e drejtësisë, por kjo nuk po ecë përpara, përkundrazi, gjendja po përkeqësohet me ndikimin e politikës hap pas hapi.

“Vazhdojë kapja e këtij sistemi në çdo pore nga grupi politik rreth z. Thaçi dhe z. Veseli, për të cilët punon kryesisht vetë mistri Abelard Tahiri. Është kërkuar që në prokurori të merren masa spastruese. U kërkua edhe nëpër gjykata deri në nivel qendror. Por, jo vetëm që nuk u ndërmor asgjë, por vazhdoj kapje dhe kontrolli definitiv i këtij sistemi, jo vetëm në prokurori e në gjykata, por u shtri edhe në noteri, në komisionin për jurisprudencë, në sistemin e përmbarueseve privat dhe në këshillat mbikëqyrës të prokurorisë e të gjykatave’, tha Kelmendi për “Kosova Sot Online”.

Duke qenë kështu, Kelmendi thotë se kemi sistem i cili nuk e lufton krimin e organizuar dhe korrupsionin, ngase në këtë grup bëjnë pjesë vetë kokat kryesore të politikës dhe drejtues të institucioneve të shtetit.

“Tash kemi një sistem tërësisht të varur. Prokuroritë të gjitha , pavarësisht nivelit, gjenden nën kontrollin e grupit të PDK-së të udhëhequr nga Abelard Tahiri. E tërë kjo vërehet nga mos kapja e krimit dhe e korrupsionit të lartë në hierarkinë politike e ekzekutive dhe në ekonominë informale, për të kaluar pastaj nëpër prokurori dhe në gjykata, kurse tani së fundi e kapen edhe sistemin noterial”, përfundoi profesori i së drejtësi, Muhamet Kelmendi për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)