Pas Srebrenicës, kërkohet kushtëzimi i Serbisë edhe me Kosovën

  • 13 July 2019 - 08:02
Pas Srebrenicës, kërkohet kushtëzimi i Serbisë edhe me Kosovën

“Këtu nuk është faji vetëm i Brukselit, por edhe i vetë Kosovës, pasi institucionet tona nuk bënë ndonjë presion në Bruksel dhe nuk e kushtëzuan me asgjë çfarëdo marrëveshje që arritën me Serbinë si pjesë e dialogut me Serbinë me ndërmjetësimin e Brukselit. Për afro 10 vite biseda me Serbinë me ndërmjetësimin e Brukselit, përfaqësuesit tanë nuk e ngritën çështjen e krimeve të luftës së Serbisë në Kosovë,“ tha Haziri për “Kosova Sot Online”.

Sipas raportimit të fundit nga mediet serbe, Brukseli zyrtar ka  propozuar  një kusht të ri për pranimin e Serbisë në BE – e ai kusht ka të bëjë me  njohjen e gjenocidit  serb në Bosnje, konkretisht në Srebrenicë. E duke folur lidhur me këtë, analisti politik, Nexhat Haziri thotë se tani një  qëndrim të tillë zyrtar BE-ja duhet ta mbaj ndaj Serbisë edhe në raport me krimet që ka bërë në Kosovë, sepse bëhet fjalë për të njëjtin shtet dhe të njëjtin faktor politik dhe ushtarak.

Image
Nexhat Haziri

Nëse BE-ja anashkalon futjen e Kosovës në të njëjtin kusht për Serbinë, atëherë sipas Hazirit, ky do të ishte një injorim i pa drejtë i BE-së karshi viktimave dhe dëmeve që Serbia i ka shkaktuar Kosovës, aq më tepër kur dihet se BE ka pasur në Kosovë edhe misionin e sundimit të ligjit EULEX me kompetenca të veçanta të drejtësi, gjykata dhe polici në periudhën transitore pas shpalljes së pavarësisë.

“Prandaj injorimi i krimeve të Serbisë në Kosovë nga ana BE-së, gjatë luftës 1998-1999, dhe mos vënia si kusht ndaj Serbisë për pranim në BE, jo vetëm për njohjen e këtyre krimeve por edhe dënimin e kriminelëve, këto janë standarde të dyfishta që aplikon Brukseli sa i përket krimeve dhe tragjedive të shkaktuara nga Serbia gjatë luftërave në territorin e ish-RSFJ-së”, tha Haziri për “Kosova Sot Online”.

Mirëpo sipas Hazirit, baza e inicimit të një teme të tillë gjithnjë është tek politika kosovare e cila së paku ka mundur që krimet dhe gjenocidin serb, pranimin e tyre nga pala serbe t’i qes në tavolinë të bisedimeve sa herë që janë zhvilluar ato.

“Këtu nuk është faji vetëm i Brukselit, por edhe vet Kosovës, pasi institucionet tona nuk bënë ndonjë presion në Bruksel dhe nuk e kushtëzuan me asgjë çfarëdo marrëveshje që arritën me Serbinë si pjesë e dialogut me Serbinë me ndërmjetësimin e Brukselit. Për afro 10 vite biseda me Serbinë me ndërmjetësimin e Brukselit, përfaqësuesit tanë nuk e ngritën çështjen e krimeve të luftës së Serbisë në Kosovë, çështjen e personave të pagjetur, dëmet e luftës, dënimi I kriminelëve, dhe këto të vihen si kushte për çdo përparim drejtë marrëveshjeve të arritura. Dhe kjo lë për të kuptuar se të gjitha këto janë injoruar nga institucionet tona shtetërore dhe më pas edhe nga Brukseli”, tha Haziri për “Kosova Sot Online”.

Ai tha se kjo mënyrë e sjelljes duhet të korrigjohet.

"Nuk duhet të ketë përparim në marrëdhëniet Kosovë-Serbi, e as pajtim ndërmjet dy popujve pa i njohur Serbia krimet e saja në Kosovë, dhe vetëm atëherë mund të kemi paqe dhe marrëdhënie të qëndrueshme në mes dy shteteve”, përfundoi Haziri për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)