Prokuroria ngritë aktakuzë për vjedhje të shërbimeve komunale ndaj personit që ka vdekur në vitin 2010

  • 15 July 2019 - 15:58
Prokuroria ngritë aktakuzë për vjedhje të shërbimeve komunale ndaj personit që ka vdekur në vitin 2010

Prokuroria Themelore në Prishtinë, në tetor të vitit 2016, kishte ngritur aktakuzë ndaj A.SH, me pretendimin se kishte kryer veprën penale “vjedhja e shërbimeve komunale”.

Kjo prokurori e akuzonte atë se prej datës së pavërtetuar e deri në janar 2014, kishte manipuluar pllombat shtetërore, me çka pretendohej se i kishte shkaktuar dëm KEDS-it në lartësi prej 162.93 euro.

Lidhur me këtë akuzë, Gjykata Themelore në Prishtinë e ka caktuar seancën e shqyrtimit fillestar për 15 korrik të këtij viti, gjatë së cilës u bë e ditur i akuzuari ka ndërruar jetë në vitin 2010.

“I akuzuari është ftuar nga gjykata në mënyrë të rregullt dhe nga fletëkthesa rezulton se dikush në emër të tij e ka pranuar ftesën më 1 korrik 2019, mirëpo i njëjti nuk është prezent në këtë seancë”, deklaroi gjykatësi Adnan Isufi në fillim të shqyrtimit në fjalë.

Në seancë prezent ishte djali i të akuzuarit, Nexhmedin Shabani, i cili e ka njoftuar gjykatën se tani të akuzuarin e ka prind dhe se i njëjti ka ndërruar jetë para 9 vitesh, me crast gjykatës ia dorëzoi edhe certifikatën origjinale të vdekjes së tani të akuzuarit, me të cilët vërtetohej se ai kishte ndërruar jetë më 5 mars të vitit 2010.

Tutje, Shabani tha se është e pakuptimtë që është ngritur aktakuzë ndaj prindit të tij, me arsyetimin se ai ka qenë i qenë i verbër dhe nuk ka pasur mundësi që të ndërhynte në njehsor.

“Pa lidhje, pa lidhje. I kam kallëzu që baba ka vdek. Baba ka qenë i verbër, pa lidhje po çojnë letra. S’ka prek kërkush te shtëpia, pa lidhje po qojnë dokumente”, deklaroi Shabani.

Lidhur me këtë, prokurori Rrahim Podvorica, i cili edhe e ka ngritur aktin akuzues, tha se certifikata e vdekjes, e paraqitur si provë, është e vërtetë derisa të mos vërtetohet e kundërta.

Në këto rrethana, gjykatësi Isufi deklaroi se gjykata do të merr vendim të veçantë për pushimin e procedurës penale ndaj të akuzuarit A.SH, pas konstatimit se i njëjti ka ndërruar jetë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 5 tetor 2016, ka ngritur aktakuzë ndaj A.SH, për shkak të veprës penale “vjedhja e shërbimeve komunale”, nga neni 320 të KPRK-së.

Sipas prokurorisë, i akuzuari, që nga datat e pavërtetuar e deri më 27 janar 2014, në shtëpinë e tij në Prishtinë, me qëllim të fshehjes se keqpërdorimeve dhe shmangies së pagesës së energjisë elektrike të cilën e kishte shpenzuar paautorizim të furnizuesit të autorizuar, ka manipuluar pllombat shtetërore si dhe numëruesin e njehsorit, ku ishin vërejtur-gjetur gjurmë të gërvishtjes së numrave në numërator, me ç’rast palës së dëmtuar KEDS i ka shkaktuar dëm në lartësi prej 162.93 euro.

(Kosova Sot Online)