Pse dha dorëheqje Ramush Haradinaj? Ja dy personat që po akuzohen se e dërguan në Speciale

  • 19 July 2019 - 20:01
Pse dha dorëheqje Ramush Haradinaj? Ja dy personat që po akuzohen se e dërguan në Speciale

Ramush Haradinaj ka dhënë dorëheqje nga posti i kryeministrit të Kosovës. Në fund të mbledhjes së Qeverisë ai ka bërë të ditur se ka dhënë dorëheqje të parevokueshme. Arsye e këtij vendimi ka thënë se është një thirrje për t’u paraqitur për t’u marrë në pyetje nga Specialja si i dyshuar.

Haradinaj, ka lexuar letrën e dorëheqjes në përfundimin e mbledhjes së Qeverisë.

Ai tutje ka shtuar se taksa do të vazhdojë të mbetet.

“Pas kësaj dorëheqje mandatin ia kthej popullit, ju jeni të parët që ju informoj. Qeveria e vendit vazhdon të kryejë funksionet e veta pa krijuar vakuum, do i informojë zyrtarisht gjitha institucionet relevante, do i mbes gjithnjë besnik atdheut, ishte ndër t'i shërbej vendit. Dorëheqja është e parevokueshme”, ka thënë ai.

“Përgjegjësia tani kalon te presidenti për të filluar konsultat për të caktuar datën e zgjedhjeve. I ofrohem prapë popullit për të marrë besimin. Nuk jam i akuzuar, por intervistohem. Garoj në zgjedhje edhe unë edhe subjekti im. Por s’kam mundur ta qoj shtetin dhe kryetarin e qeverisë sepse do t’ia rëndoja Kosovës dhe e kam marrë këtë vendim”, ka thënë Haradinaj.

“S’e kam zgjedh këtë realitet. Nuk mendoj se e meriton t’ia bëj këtë Kosovës dhe nuk e bëj”, ka shtuar ai.

E pas kësaj dorëhqeje, kryetarja e Lëvizjes Evropiane të Serbëve në Kosovë Rada Trajkoviq ka thënë se kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka pasur rolin më të rëndësishëm në dorëheqjen e Ramush Haradinajt, duke shtuar se pozicioni i Hashim Thaçit tani është në sikur në „akull“. 

Sipas saj, Veseli me gjasë ka vlerësuar se për të do të ishte më mirë që Haradinaj të shkojë në Hagë ndërsa ai të marrë përgjegjësinë për të stabilizuar situatën në raport me Beogradin.

“Dorëheqja e Haradinajt është një mesazh nga bashkësia ndërkombëtare për shumë liderë, si në Beograd ashtu edhe në Prishtinë, se ata duhet t’i përmbushin premtimet, kështu që unë nuk përjashtoj një të ardhme të ngjashme edhe për politikanë tjerë “, tha Trajkoviç.

Kurse ish deputeti i LDK-së, Adem Salihaj ka thënë se Ramush Haradinaj po shkon përsëri në Hagë me skenar të përbashkët të presidentit Hashim Thaçi dhe kryeparlamentarit Kadri Veseli.

Lajmi i mirë në këtë situatë sipas Salihajt është se vendi do të shkojë në zgjedhje.

“Po përseriten skenarët e mëhershëm, Ramushi sërish dërgohet në Hagë me skenar të përbashkët të Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit. Gjithsesi, kjo qeveri ishte në prag të rënjes, parlamenti ishte i bllokuar që nga fillimi, u shkelën ligjet dhe kushtetuta, asnjëherë Kosova nuk ishte në gjendja kaqë të keqe. Lajmi i mirë është se Kosova do të shkojë në zgjedhje. LIdhja Demokratike e Kosovës dhe Vetëvendosja nuk duhet t’i bëjnë gabimet e së kaluarës, duhet të bëjnë koalicion parazgjedhor, sepse vetëm në këtë mënyrë mund të nxirret Kosova nga humnera ku e kanë hedhur këta. Zërat se LDK dhe VV duhet te shkojnë në zgjedhje ndaras, janë zëra të porositur dhe koordinuar nga SHIK-u dhe PDK-ja. Koalicioni parazgjedhor LDK-VV do të krijonte eufori për fitore dhe do të krijonte mundësi të mëdha që qeveria të krijohet nga një shumicë shqiptare e të mos varet nga votat e serbëve të dirigjuar nga Beogradi”, ka shkruar Salihaj.

(Kosova Sot Online)