Ministri Bytyqi nuk u përgjigjet deputetëve për të folur për mbylljen e universiteteve

  • 22 July 2019 - 14:32
Ministri Bytyqi nuk u përgjigjet deputetëve për të folur për mbylljen e universiteteve

Komisioni për Arsim ka mbajtur mbledhjen e sotme pas shtyrjes së kësaj mbledhje nga dita e premte për shkak të kuorumit, ku pjesëmarrës nuk ishin deputetët e PAN-it gjë që pamundësoi mbajtjen e mbledhjes.

Në këtë mbledhje ishte i ftuar Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi për të diskutuar vendimin e Këshillit Shtetëror të Cilësisë për mos akreditimin e 3 universiteteve publike për vitin akademik 2019/2020, por Ministri nuk ka qenë i pranishëm, shkruan Gazeta Express.

Arbërie Nagavci nga Lëvizja Vetëvendosje tha se Ministri është dashur ti përgjigjet ftesës për pjesëmarrje.

“Më vjen keq që Ministri nuk është i pranishëm edhe pse kemi një situatë të re politike, ata ende ushtrojnë funksionet e tyre në qeveri”.

Deputetja Nagavci tha se KSHC-ja në vlerësimin e tyre ka bërë punë të pavarur.

“KSHC-ja si institucion ka vepruar  i pavarur dhe vendimi i tyre për mos akreditimin e 3 universiteteve publike dhe atyre private të arsimit të lartë ka treguar gjendjen të cilën e dijmë të gjithë, pra gjendja është reale sipas vlerësimit të ekspertëve” u shpreh deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje.

Nagavci ka thënë se politika nuk duhet të ndërhyjë në përzgjedhjen e stafit akademik në universitetet publike që janë nëpër qytetet kryesore të Kosovës.

Ajo ka kërkuar që të ndërpriten plotësisht ndikimet politike në institucionet e pavarura siç janë KSHC-ja.

(Kosova Sot Online)