‘Politikanët milionerë’, vjen denoncimi i rëndë: Ja kush e ka bllokuar hetimin e pasurisë

  • 28 July 2019 - 07:47
‘Politikanët milionerë’, vjen denoncimi i rëndë: Ja kush e ka bllokuar hetimin e pasurisë

“Unë jam më se i sigurt që vetëm nëse do të bëhej ligji i Veting-ut do të mundë të zbardhej edhe e vërteta e rrugëve nëpërmes të cilave këta njerëz kanë ardhur deri te ky nivel i pasurimit të tyre. Mirëpo për fat të keq nuk po bëhet Vetingu në Kosovë edhe pse kemi pasur disa raste kur është përmendur dhe është premtuar nga drejtues të institucioneve ndër më kryesoret të shtetit”, tha Smaka për “Kosova Sot Online “.

Mënyra e pasurimit të shpejtë të njerëzve të politikës në Kosovë po vazhdon të jetë një enigmë akoma e pa zbërthyer nga drejtësia e Kosovës, jo vetëm gjatë administrimit ndërkombëtar, por edhe tash e 11 vite pas shpalljes së pavarësisë dhe ndërtimit të shtetit nga vetë kosovarët.

Image

Opinioni publik ka krijuar bindjen që nuk mund të mohohet nga askush, dhe se ky pasurim i njerëzve të politikës brenda natës, po ndodhë kryesisht përmes rrugëve korruptive, zhvatjes së buxhetit dhe lidhjes me grupet mafioze.

Së fundi edhe organizata jo qeveritare, Lëvizja Fol ka publikuar emrat e politikaneve më të pasur në Kosovë, ku bije në sy pasuria e tyre miliardëshe, e në anën tjetër Kosova është vendi më i varfër në Evropë.

Sipas profesorit të së drejtës, Riza Smaka hetimi i kësaj pasurie krejtësisht të pa justifikueshme mund të bëhet vetëm nëpërmes të një ligji VETTING-ut nëse bëhet në Kosovë,

“Por fatkeqësia e madhe është që pikërisht për të mos u zbuluar këto mënyra të pasurimit, si në politikë edhe tek njerëzit e zbatimit të ligjit, prokurorët e gjykatësit, Ligji Veting është bllokuar dhe nuk po lejohet të bëhet nga politika Kosovare që ka kapur drejtësinë. Po të ishte në Kosovë sistemi i drejtësisë funksional do ta kishte luftuar me sukses krimin e organizuar dhe korrupsionin që është galopant dhe shtrihet në të gjitha nivelet e institucioneve dhe sferat e jetës shoqërore, prandaj nga një proces i tillë kanë frikë të gjithë ata që janë pasuruar kundërligjshëm dhe kundër moralshëm se mos po ju rrëshqet ashtu dhe nën këmbe e po ju hyn uji sepse Vettingu automatikisht do të kishte prodhuar edhe drejtues profesional të institucioneve, krejtësisht të pa varur me punën e të cilëve do të arriheshin efektet e zbatimit dhe vendosjes së ligjit në vendin që i takon”, tha Smaka për “Kosova Sot Online”.

Sipas tij, premtimet dhe zotimet e shpeshta të disa individëve, nuk kanë shkuar përtej mashtrimit dhe promovimit momental të figurës së tyre, sikur ka bërë edhe kryetari i Kuvendit Kadri Veseli.

“Unë jam më se i sigurt që vetëm nëse do të bëhej ligji i VETTING-ut do të mundë të zbardhej edhe e vërteta e rrugëve nëpërmes të cilave këta njerëz kanë ardhur deri te ky nivel i pasurimit të tyre. Mirëpo për fat të keq nuk po bëhet Vetingu në Kosovë edhe pse kemi pasur disa raste kur është përmendur dhe është premtuar nga drejtues të institucioneve ndër më kryesoret të shtetit. Deri më sot Vetingu ka shërbyer dhe është përdorur vetëm si një floskule politike e subjekteve politike të caktuara vetëm për një lloj promovimi të tyre intensiv e kinse më përmbajtjesor por nuk është iniciuar asnjëherë seriozisht dhe nuk është bërë në mënyrë të sinqertë ai premtim , nuk është bërë asnjë hap përpara edhe pse dihet se sa është i nevojshëm dhe dobishëm një proces i tillë. Sidomos kur dihet se çfarë sistemi të drejtësisë kemi tani me shumë probleme nga të cilat lëngon, nuk është as funksional dhe as efikas ”, shtoi profesor Smaka për Kosova Sot Online”.

Smaka thotë se pikërisht nga frikë që do të zbulohen të gjitha të bërat dhe kanalet e krimit nga të cilat janë pasuruar njerëzit e politikës dhe të drejtësisë, e pastaj do ju konfiskohej ajo pasuri, nuk bëhet ligji Veting. “Kjo punë pra nuk mundë të bëhet as sot e kësaj dite sepse nuk ekziston vullneti politik pothuajse i asnjërës nga këto parti politike parlamentare, as qeveria nuk e ka ngritur këtë çështje sepse qeverisë do ti takonte në rend të parë si ekzekutiv, kurse në kuvend kemi pasur vetëm disa deklarata sa për ti dhënë pompozitet ndonjë individ promovimit personal dhe me kaq deri më tash kjo çështje ka përfunduar”, përfundoi profesori, Riza Smaka për Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)