Ky është paralajmërimi për qeverinë e re: Ja formula e vetme që në Kosovë...

  • 30 July 2019 - 07:32
Ky është paralajmërimi për qeverinë e re: Ja formula e vetme që në Kosovë...

“Formula e vetme për pastrimin një herë e mirë të drejtësisë kosovare dhe ndërtimin e një shteti ligjor, është vetëm futja e një VETTINGU”, tha Qarri për “Kosova Sot Online”.

Në pritje të zgjedhjeve të reja në Republikën e Kosovës dhe ndryshimeve që do të ndodhin në ri rreshtimin e partive politike në pushtet, analistët politikë dhe njohësit e sistemit të drejtësisë, me pikëpyetje të madhe e presin edhe ndonjë ndryshim eventual pozitiv në sistemin e sundimit të ligjit, në drejtësi.

Image

Analisti politik, Gani Qarri një ndryshim pozitiv në këtë fushë e ndërlidh vetëm nëse ndryshimet ndodhin në politikë, në ato parti politike që do ta qeverisin vendin në mandatin vijues.

“Duke pasur parasysh faktin se sa thellë i kanë futur rrënjët e tyre politikanet e kriminalizuar në drejtësi, sa i takon luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, sundimit të ligjit, si dhe funksionimit të gjykatave dhe Prokurorisë në vend, edhe me qeverinë e re që pritet të dalë në këto zgjedhje, jo vetëm se do të vazhdojë të vuaj më tej i gjithë sistemi i drejtësisë, nën sundimin e politikes së inkriminuar, por edhe korrupsioni dhe krimi i organizuar do të vijojnë të mbeten, ende një sfidë dhe njollë e zezë për Kosovën në tërësi”, tha Gani Qarri për “Kosova Sot Online”.

Sipas Qarrit, çelësi i vetëm që siguron drejtësi të pa varur dhe profesionale është aprovimi dhe zbatimi i ligjit Vetting, ndryshe politika do ta mbajë akoma peng drejtësinë kosovare me rrjetin e vetë kriminal.

“Formula e vetme për pastrimin-një herë e mirë të drejtësisë kosovare dhe ndërtimin e një shteti të njëmendtë ligjor, është vetëm futja e një VETTINGU të thellë e gjithëpërfshirës, si dhe dalja në skenë dhe marrja e qeverisjes në dorë nga një segmenti i ri e i panjollosur politik, i cili do të vendoste rendin dhe ligjin si dhe zhdukte edhe haraçin në vend, që tash e sa vite po bëhet shkaku kryesor për largimin e investitorëve të huaj, kur dihet se edhe qeveria në dorëheqje,ka dështuar tërësisht në këtë fushë”, deklaroi analisti politik, Gani Qarri për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)