Analisti i njohur ‘shpërthen’ ndaj Thaçit, tregon skenarin për qeveri teknikë dhe ikjen nga Specialja

  • 01 August 2019 - 18:18
Analisti i njohur ‘shpërthen’ ndaj Thaçit, tregon skenarin për qeveri teknikë dhe ikjen nga Specialja

“Ai është i vetëdijshëm se në rast ardhjes në pushtet të opozitës aktuale, pozicioni i tij në procesin e dialogut me Serbinë do ishte inferior kështu që do t’i dështonte plani për marrëveshje me Serbinë mbi bazën e shkëmbimit të territoreve që do të prodhonte ndarjen e Kosovës në vija etnike, në atë shqiptare dhe serbe, e më këtë edhe imuniteti I tij në raport me Gjykatën Speciale”, tha Haziri për “Kosova Sot Online”.

Image
Nexhat Haziri

Analisti politik, Nexhat Haziri duke përcjellë në vazhdimësi rrjedhat e fillimit të konsultave të Hashim Thaçit me partitë politike për të gjetur rrugën e daljes nga kriza dhe zgjidhja me qeveri transitore ose zgjedhje si opsion i fundit, i pa dëshirueshëm për të dhe PDK-në, thotë se ky hezitimi i presidentit Thaçi për të reflektuar në bazë të kushtetutës në raport me situatën e krijuar pas dorëheqjes së kryeministrit Haradinaj, tregon qartë për kalkulimet e tij në raport me pozicionin aktual të tij por edhe në të ardhmen.

Madje sipas Hazirit, ky kalkulim i kryetarit në “hije” të PDK-së u shpërfaq hapur edhe në deklarimin e tij të ditës së mërkurë , duke kërkuar nga partitë politike që të merren vesh për një ri kompozim të qeverisjes së arnuar, vetëm që të mos shkohet në zgjedhje.

“Kjo tregon se Thaçi do të mundohet që më disa parti të caktuara përmes PDK-së, të afroj variantin e një qeverie teknike, ku pjesë e pazarit do të ishte edhe pozicioni i tij si president në procesin e dialogut me Serbinë. Ai është i vetëdijshëm se në rast ardhjes në pushtet të opozitës aktuale, pozicioni i tij në procesin e dialogut me Serbinë do ishte inferior kështu që do t’i dështonte plani për marrëveshje me Serbinë mbi bazën e shkëmbimit të territoreve që do të prodhonte ndarjen e Kosovës në vija etnike, në atë shqiptare dhe serbe, e më këtë edhe imuniteti i tij në raport me Gjykatën Speciale”, tha Nexhat Haziri për “Kosova Sot Online”.

Sipas Hazirit, edhe pse deri më tani shumica e partive politike janë në favor të zgjedhjeve të reja, ai këtë temë të zgjedhjeve është duke e anashkaluar në takime, por po flet vetëm për variantin e dytë, atë të ri kompozimit të qeverisë, duke ftuar parti të vogla politike e për të bërë numra, duke anashkaluar deri tash tre subjektet kryesore politike që duan zgjedhje, LDK, AAK dhe VV-ja.

“Përkundër që kemi shumicën e partive të deklaruara për variantin e mbajtjes së zgjedhjeve, presidenti Thaçi do të mundohet ta sfidoj këtë variant deri në momentin e fundit, dhe kjo lexohet me taktikat të cilat ai ka filluar ti aplikon duke u takuar edhe me parti i relevante në skenën politike, takimi me KQZ-në, por nuk diskuton për datën e zgjedhjeve dhe akoma nuk ka ftuar partitë parlamentare për tu konsultuar mbi mbajtjen e zgjedhjeve që vendi të bëhet me institucione të zgjedhura dhe kredibile”, tha Haziri për “Kosova Sot Online”.

Sipas Hazirit, është mëse e nevojshme se kur që të bashkërendohet një veprim më i gjerë i partive politike për të shkuar në zgjedhje të reja dhe formimin e institucioneve me kredibilitet dhe legjitimitet qytetar, sepse ndryshe agjenda e krijuar e krizës institucionale mundë të keqpërdoret për interesat personale të Hashim Thaçit, gjë që është humbje e madhe kohe për Kosovën si shtet i ri.

“Kosova nuk ka kohë për të humbur, por ky si duket nuk është halli i Presidentit, ai ka hallin e vet të mbijetesës politike dhe të qëndruarit si aktor kryesor vendimmarrës politik në vend, pa marrë parasysh se rregullimi kushtetues i vendit është Republikë Parlamentare. Mbase frika nga Gjykata Speciale, e ka trazuar presidentin dhe si duket është i gatshëm për të shkuar deri në fund me kalkulimet e tij, pa marrë parasysh pasojave që mund ti sjellë vendit”, përfundoi Nexhat Haziri për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online).