“Pazaret në prapaskenë”, zbulohet se si i komandon nëntoka kriminale koalicionet zgjedhore

  • 02 August 2019 - 07:42
“Pazaret në prapaskenë”, zbulohet se si i komandon nëntoka kriminale koalicionet zgjedhore

“Ndryshe flitet para kamerave publikisht e ndryshe punohet e planifikohet tinëzisht e larg syve të qytetarit. Në këto pazare, është e përfshirë edhe nëntoka kriminale, e cila në restorante dhe kafiteri të ndryshme merr pjesë së bashku me aktorët përkatës dhe ka angazhim serioz që të bëj pazare. Madje kjo nëntokë në të shumtën e rasteve edhe e ka fjalën e fundit se cila parti me cilën duhet të hyj në koalicion dhe me cilin çmim të ndarjes së kulaçit qeverisës”, tha analisti politik Bislim Aliu për “Kosova Sot Online”.

Edhe pse Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, konsultat për datën e zgjedhjeve e ka filluar së mbrapshti, duke i ftuar fillimisht subjektet e vogla minoritare dhe partitë tjera jashtë parlamentare, beteja e partive tradicionale parlamentare për të gjetur partnerët e koalicionit, pavarësisht enigmës për datën e zgjedhjeve, ka filluar të zhvillohet me dinamikën më të madhe në prapaskenë dhe larg syve të opinionit publik.

Image

Analisti politik, Bislim Aliu ka thënë për “Kosova Sot Online” se në këto takime janë duke u barë pazaret e mëdha të cilat mund të zbulohen vetëm në momentet e fundit të mbylljes së afatit për aplikim dhe certifikim të listave pranë KQZ-së, sikur që ka ndodhur edhe në praktikat e mëhershme, kur koalicionet janë zbuluar pak minuta para skadimit të afatit, sepse ashtu kanë qenë urdhëratë e nëntokës kriminale që i ka dirigjuar ato.

“Nuk ka asnjë dyshim se pazaret e kësaj natyre kanë filluar të bëhen kaherë, madje akoma pa dhënë dorëheqje kryeministri Haradinaj. Mirëpo tani këto pazare pa dyshim që po zhvillohen me të madhe në prapaskenë dhe larg syve të opinionit publik. Aty pazaret bëhen me detaje dhe me emra e mbiemra konkret të atyre që do të duhet të bëhen edhe pjesë e institucioneve të reja të vendit, nëse ju dalin matematikat pas zgjedhore”, tha Aliu për “Kosova Sot Online”.

Sipas Aliut, edhe pse në deklarime publike ka vija të kuqe mes partive politike, në këto takime sekrete ato nuk ekzistojnë sepse pazaret bëhen në mes të të gjitha partive pa asnjë dallim.

“Ndryshe flitet para kamerave publikisht e ndryshe punohet e planifikohet tinëzisht e larg syve të qytetarit. Në këto pazare, është e përfshirë edhe nëntoka kriminale, e cila në restorante dhe kafiteri të ndryshme merr pjesë së bashku me aktorët përkatës dhe ka angazhim serioz që të bëj pazare. Madje kjo nëntokë në të shumtën e rasteve edhe e ka fjalën e fundit se cila parti me cilën duhet të hyj në koalicion dhe me cilin çmim të ndarjes së kulaçit qeverisës”, tha Bislim Aliu.

Sipas tij, kjo praktikë veprimi më pastaj rezulton me zhgënjimin qytetar të cilët edhe nuk janë të motivuar për të dalë në zgjedhje.

“Për këtë arsye qytetarët e dëshpëruar po vazhdojnë të abstenojnë në masë të madhe sa herë kemi zgjedhje të reja. Kështu kemi rrezik të na ndodhë edhe me këto zgjedhje të parakohshme, prandaj nuk e dëgjon askënd të flet për zgjedhje dhe për preferenca ndaj partive politike por të gjithë flasin si e kur mundë të gjendet një mundësi për të ikur, larguar jashtë vendit për një jetë më të mirë e më të dinjitetshme”, tha Aliu për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)