Numri i delegatëve që secila degë e LDK’së i çon në Kuvend Zgjedhor

  • 03 August 2019 - 07:54
Numri i delegatëve që secila degë e LDK’së i çon në Kuvend Zgjedhor

Lidhja Demokratike e Kosovës po përballet me momentet e fundit që do të përmbyllin procesin e zgjedhjeve të brendshme në këtë parti.

Që nga marsi, LDK ka filluar të zgjedhë kryetarët e degëve, derisa i gjithë ky proces do të finalizohet këtë të shtunë, kur edhe do të votohet për atë që do të udhëheq me pozitën e të parit në katër vitet e ardhshme.

Emrat e atyre që u përfolën se synojnë pozitën u përhapën dita ditës, ani pse në këtë parti, duke u thirrur në statut që nga fillimi u munduan që gjithçka sa i përket pretendentëve të mbetet super sekrete.

Në statut të LDK-së saktësohet se Kuvendi Zgjedhor mblidhet çdo katër vite, e në të zgjidhen edhe organet e partisë.

Neni 18 ndërkaq, saktëson se Kuvendin e LDK-së e përbëjnë 354 delegatë të zgjedhur në Kuvendet e degës plus kryetari aktual i LDK-së, që me automatizëm është delegat i Kuvendit të Përgjithshëm.

Për numrin e delegatëve sipas degëve dhe cilat janë kriteret e zgjedhjeve të tyre vendoset në këshill të përgjithshëm, apo në kryesi të LDK-së.

Kësaj radhe, siç edhe ka funksionuar zakonisht në këtë parti, është përpjesëtuar numri i përgjithshëm i votave në zgjedhjet e 2017-tës, për Kuvende Komunale, derisa në këtë mënyrë janë caktuar edhe sa delegatë i takojnë një dege të caktuar në Kuvend zgjedhor.

Me numra të delegatëve po kalkulohet edhe mbështetja që ka secili emër që po përflitet për kandidat të mundshëm i të shtunës.

Media  ka përpjesëtuar numrin e votave që LDK ka marrë në zgjedhjet e fundit në kuvende zgjedhore, duke ardhur kështu në përfundim edhe për numrin e votuesve apo delegatëve nëpër secilën degë, nga 38 sa janë gjithsej.

Nga 355 delegatë, Prishtina kryeson me 44 sosh, duke u ndjekur më pas nga Peja, e pastaj edhe Podujeva e Agim Veliut që kanë 29 delegatë.  Pas Podujevës radhitet Gjilani me 28 vota dhe Ferizaj që pason me 27. Këtë numër të përfaqësuesve të Ferizajt në Kuvend e ka konfirmuar për media edhe kryetari i Degës, Muharrem Svarqa. LDK ndërkaq do të ketë nga një përfaqësues nëpër degë të vogla, si dhe në degët që kjo parti ka në diasporë.

Pra aktualisht me delegatë kryeson Prishtina që mendohet se është komplet e  Isa Mustafës, pastaj Agim Veliu, Gazmend Muhaxheri e Gjilani i Lutfi Hazirit.

Statuti i LDK-së saktëson se votat për kryetar janë të fshehta, derisa kandidimi bëhet në Kuvend.

Mirëpo, për të kandiduar duhet fillimisht të kalohet sfida 50 për qind plus 1, që do të thotë se secili kandidat i mundshëm duhet të marrë 50 për qind plus 1 të votave të delegatëve të pranishëm.

Kjo mënyrë e votimit e pati rrëzuar nga gara katër vite më parë deputeten Vjosa Osmani, derisa, Isa Mustafa pati ruajtur postin duke u zgjedhur me aklamacion.

Lista e plotë se si do të përfaqësohen në Kuvend të LDK-së degët e caktuara:

Deçan – 6

Gjakovë – 8

Gllogoc – 2

Gjilan – 28

Dragash – 8

Kaçanik – 4

Klinë – 7

Fushë Kosovë- 15

Kamenicë – 9

Mitrovicë – 11

Lipjan – 20

Novobërdë – 2

Obiliq – 5

Rahovec – 10

Pejë – 31

Podujevë- 29

Prishtinë – 44

Prizren – 18

Skenderaj – 1

Shtime – 4

Shtërpcë – 2

Suharekë – 15

Ferizaj – 24

Viti – 14

Vushtrri – 10

Zubin Potok – 1

Zveqan- 1

Malishevë – 7

Junik – 2

Hani i Elezit – 3

Istog – 13

 Leposaviq – 1

 Gracaniqë 1

 Kllokot – 1

 Zhur – 1

Çabër – 1

(Kosova Sot Online)