Alarmon rëndë profesori i njohur: Ky është rreziku i madh nga Hashim Thaçi

  • 03 August 2019 - 16:28
Alarmon rëndë profesori i njohur: Ky është rreziku i madh nga Hashim Thaçi

“Plani për ndarjen e Kosovës nuk është hequr nga tavolina dhe tash ka marr edhe një shtytje përpara. Gazeta "Die Welt" ka sjell të dhëna që tashmë veç dihen mbi planin Thaçi-Vuqiq. Dua vetëm të theksoj edhe njëherë faktin se plani i tillë rrjedh nga klani ruso, serbo,francezo amerikan dhe ky klan është forcuar dukshëm dhe tash po gjen përkrahje edhe nëpër Evropë, përveç në Londër dhe Berlin”, tha profesor Kelmendi për “Kosova Sot Online”.

Tema e shumë përfolur e korrigjimit të kufijve në mes të Kosovës dhe Serbisë, si opsion për nënshkrimin e marrëveshjes përfundimtare për normalizim të raporteve gjatë procesit të bisedimeve me ndërmjetësimin e BE-së, po vazhdon të jetë aktuale akoma në shtypin evropian, pavarësisht se në Kosovë kundërshtohet një zgjidhje e tillë nga shumica e spektrit politik.

Image

Gazeta gjermane “Die Welt” ka shkruar një artikull në lidhje me marrëveshjen përfundimtare që do të jetë mes Kosovës dhe Serbisë, duke thënë se korrigjimi i kufirit mes dy vendeve mbetet akoma si njëri nga opsionet në tryezën e bisedimeve në Bruksel.

Gazeta thekson më tej se “është akoma aktuale ideja e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuqiq, dhe e presidentit kosovar, Hashim Thaçi, që konfliktin politik mes dy vendeve ta zgjidhin me një marrëveshje për shkëmbime të territoresh, ku Veriu i Kosovës i banuar me serbë, do të këmbehej me Luginën e Preshevës".

Njohësit e zhvillimeve politike në vend e shohin me seriozitet dhe rrezik mbajtjen në agjendë të këtij opsioni, prandaj edhe dyshojnë te Hashim Thaçi se edhe tani krejt lufta e Thaçit me manipulimin e procesit politik dhe elektoral në vend, pas dorëheqjes së kryeministrit Haradinaj, është që të ndikojë në formimin e institucioneve të reja për interesin e tij, qoftë qeveri teknike apo e dalë nga një proces i ri zgjedhor, ta realizojë deri në fund misionin bisedimeve me Serbinë, duke mbajtur në tavolinë edhe planin e korrigjimit të kufijve për cilin do çmim të mundshëm politik.

Këtë rrezik serioz e paralajmëron edhe profesori i njohur, Muhamet Kelmendi.

“Plani për ndarjen e Kosovës nuk është hequr nga tavolina dhe tash ka marr edhe një shtytje përpara. Gazeta "Die Velt" ka sjell të dhëna që tashmë veç dihen mbi planin Thaçi-Vucic. Dua vetëm të theksoj edhe njëherë faktin se plani i tillë rrjedh nga klani ruso, serbo,francezo amerikan dhe ky klan është forcuar dukshëm dhe tash po gjen përkrahje edhe nëpër Evropë, përveç në Londër dhe Berlin”, tha profesor Kelmendi për “Kosova Sot Online”.

Prandaj sipas Kelmendit, tani krejt loja po luhet në situatë krize nga Hashim Thaçi i cili po i shfrytëzon anët pozitive dhe negative të boshllëkut institucional.

“Natyrisht se dorëheqja e Ramush Haradinaj ka krijuar edhe terren pozitiv por edhe negativ. Pozitiv sepse nuk është më Haradinaj për të ndalur Thaçin në rrugën e ndarjes dhe të shkëmbimit gjoja të territoreve, negative se nuk ka qeveri për të ndërtuar pa zgjedhje në Kosovë. Kuptohet se për Thaçin kishte qenë ideale dalja e një qeverie tjetër nga PAN por këtu nuk ka vota për mandatar të ri prandaj, prandaj ai do të shfrytëzon kohën e përcaktuar me ligj për të përfituar në kohë”, tha Muhamet Kelmendi për “Kosova Sot Online”.

Sipas Muhamet Kelmendit, përfitim në kohë po kërkojnë edhe deputetët e të gjitha partive politike të cilët nuk i kanë akoma dy vite të plota në pozitë të tillë për të fituar mandatin, gjë qe ka bërë të mos interesohen për shpërndarje të parlamentit, në mënyrë që të shkohet më shpejtë në zgjedhje.

Ky kalkulim i deputetëve, sipas Muhamet Kelmendit, i shkon për shtati Thaçit që t’i bëjë matematikat edhe për qeverinë e re pas zgjedhore, të cilën do ta kontrollojë dhe mundë t’ia imponon edhe pranimin e planit me Vuqiqin për korrigjim të kufijve.

“Këtë gjendje po e shfrytëzon Hashim Thaçi dhe natyrisht se po i shkon shumë për shtati. Por unë mendoj që sa më parë që të shpërndahet Parlamenti aq më parë caktohen zgjedhjet dhe ky do të ishte një veprim i mençur që të ndalohet çdo veprim dhe manipulim i Hashim Thaçit në emër të Kushtetutës dhe nenit 95, parag. 5 të saj sepse shpërndarja e Kuvendit na dërgon më shpejtë te zgjedhjet. Vetëm kjo situatë e re e krijuar me një shpejtësi më të madhe do ta ndalonte Thaçin nga rruga e tillë e rrezikshme”, tha profesori Muhamet Kelmendi për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online).