Seria e shkrimeve kundër Haradinajt në Serbi, Nitaj ia kujton Millosheviqin Vuçiqit

  • 05 August 2019 - 12:30
Seria e shkrimeve kundër Haradinajt në Serbi, Nitaj ia kujton Millosheviqin Vuçiqit

Deputeti i AAK-së, Muharrem Nitaj ka reaguar pas propagandës që mediat serbe po bëjnë për kryeministrin në largim të Kosovës, Ramush Haradinaj. Nitaj ka thënë se Aleksandër Vuçiq po vazhdon t’i publikojë ‘’rrenat’’  që i bënte sa ishte shef i propagandës së Millosheviqit.

“Aleksander Vuçiq, ka vendosur t’i publikojë edhe një herë krejt rrenat e kohës sa ishte shef i propagandës së Millosheviqit, atë kohë e gjatë luftës në Kosovë, 1998-2000, ai ishte ministër i informatave!  Edhe ky, sikurse edhe Shefi i i tij Millosheviq, me të njëjtat mjete, e me të njëjtat media, e me të njëjtit argatë, po i sulmon njerëzit që e mposhten në Kosovë”, ka thënë Nitaj.

Ky sulm ndaj Haradinajt, sipas deputetit të AAK-së, po bëhet pas taksës prej 100 për qind të vendosur për produktet serbe e boshnjake.

“Natyrisht targeti kryesor i makinerisë së tij propagandistike, sërish është Ramush Haradinaj, i cili për të satën herë i thotë Jo Serbisë në Kosovë!

“I vetmi ndryshim nga sulmet e tij, sa ishte  ministër i propagandës së Millosheviqit me sot kur është president, është se atëherë duheshin vrarë e përzënë gjithë shqiptarët, ndërkaq sot në rrugë u ka dalë veç Ramush Haradinaj, sepse pikërisht ai i prishi skenarët që përmes idesë së korrigjimit të kufijve të aneksohej Veriu bashkë me Trepçën, dhe planet për pushtimin ekonomik të Kosovës, duke e vendosur si kundërmasë taksën 100%”, shton tutje.

“Krejtësisht në fund, të gjithë propagandistët në Serbi, duhet ta kuptojnë njëherë e mirë se kundër Serbisë në Kosovë, nuk është vetëm Ramush Haradinaj, por e tanë Kosova”, ka përfunduar Nitaj.

Mediat serbe pas intervistimit të Haradinajt nga Gjykata Speciale, kanë shkruar se ai po merret në pyetje për rastin e “Shtëpisë së Verdhë”.

Sipas Blicit serb hetimet lidhur me këtë rast i kanë kryer disa hetues amerikanë, duke përmendur edhe inicialet e njërit prej tyre si D.L, të cilin ‘Blici’ thotë se e kanë kontaktuar.

Kryeministri në dorëheqje, Ramush Haradinaj ka reaguar karshi lidhur këtyre lajmeve duke thënë se mediet e afërta me ish-ministrin e propagandës së kasapit të Ballkanit Milosheviq, tash president i Serbisë, Aleksander Vuçiq, kanë filluar një fushatë shpifëse kundër tij.

“Kanë dështuar në të kaluarën, po dështojnë tani dhe do të dështojnë gjithnjë!, ka shkruar në adresën e tij elektronike, kryeministri në dorëheqje, Ramush Haradinaj.

(Kosova Sot Online)