Çfarë mesazhe dërgoi Isa Mustafa tre ditë pas zgjedhjes në krye të partisë?

  • 05 August 2019 - 18:43
Çfarë mesazhe dërgoi Isa Mustafa tre ditë pas zgjedhjes në krye të partisë?

Pasi që mori mandatin e tretë në pozitën e liderit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa vendosi që ta thyejë heshtjen, duke folur kështu për herë të parë pas rizgjedhjes. Kreu i LDK-së, ka folur për taksën prej 100 për qind të vendosur nga qeveria e udhëhequr nga Ramush Haradinaj, me kë ka vija të  kuqe LDK-ja, e se me kë do të shkojnë në koalicion.

Kreu i LDK-së, Isa Mustafa pak ditë pas zgjedhjes së tij në pozitën e të parit të partisë, ka zgjedhur që përmes mediave, të tregojë që nuk do të jetë ai kandidat i Lidhjes Demokratike për kryeministër në zgjedhjet e jashtëzakonshme.

“Sigurisht do të bëj përpjekje që të gjejë një kandidat tjetër brenda LDK-së dhe vetë të mbaj timonin e LDK-së, por do të bëjmë përpjekje që bashkërisht të diskutojmë më Këshillin e Përgjithshëm, Këshilli vendos për atë çështje dhe unë tani jam i orientuar që në këtë pozitë të jetë një njeri që ta bëjë mirë këtë punë dhe ta ketë besimin e qytetarëve të Kosovës”, ka bërë të ditur Isa Mustafa, derisa ka shtuar se do të gjendet një kandidat për kryeministër që ka përkrahjen e plotë të LDK-së.

Për herë të parë pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt nga posti i kryeministrit, Isa Mustafa ka pranuar mundësinë në shkuarje në zgjedhje me ndonjë parti tjetër politike. Kjo sipas tij varet krejt nga ajo se cka do të veprojnë partitë tjera në këtë drejtim.

“Ne jemi përcaktuar parimisht që të shkojmë vetë dhe të matemi para qytetarëve, mirëpo e gjithë kjo varet nga ajo se çfarë do të bëjnë tjerët, sepse nëse tjerët bëhen bashkë atëherë edhe ne duhet ta mendojmë alternativën tjetër. Por, parimisht ne i kemi ftuar edhe partitë tjera që të matemi para opinionit si parti se kush del i pari, i dyti, i treti e të tjera dhe pastaj pas raundit të parë, pas vlerësimit të qytetarëve, pastaj të bëjmë edhe koalicione varësisht nga programet politike dhe se çfarë mund t’i ofrojmë vendit në qeverisjen e ardhshme”, ka thënë ai.

Lideri i LDK-së, ka thënë se tarifa prej 100 për qind për Serbinë e Bosnjën duhet të qëndrojë në fuqi edhe më tutje.

“Taksa duhet të vazhdojë derisa Serbia të mos ndërrojë qëndrimet e veta dhe përderisa mos të reflektojë në të gjitha këto sjellje të bllokadës që po i bën Kosovës, edhe në njohjet ndërkombëtare, edhe ç’njohjet, por edhe në çështjet të themi të përditshme siç është lëvizja e lirë e qytetarëve, transportit të mallrave dhe çështjet tjera që ne i kemi diskutuar në Bruksel. Janë arritur marrëveshje por Serbia nuk po i zbaton”, shtoi ai, duke vlerësuar tutje që qeveria në dorëheqje ka qenë skandaloze.

Mustafa ka vlerësuar se procesi i zgjedhjeve të brendshme në LDK ka qenë krejtësisht demokratik, pavarësisht kritikave. I njëjti ka shtuar se në zgjedhje lokal kanë për qëllim fitim në komuna të mëdha siç janë Prishtina e Prizreni.

Sipas liderit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, nuk ka marrëveshje për ndarje të posteve në partinë e tij.

Në fund, ai ka komentuar edhe vendimin që kuvendi të shpërndahet me 22 gusht. Sipas tij, fundi i shtatorit dhe fillimi i tetorit është periudha më e mirë për të mbajtur zgjedhje.

(Kosova Sot Online)