Edhe O’Connell reagon ndaj vendimit të ministres Dhurata Hoxha

  • 08 August 2019 - 17:16
Edhe O’Connell reagon ndaj vendimit të ministres Dhurata Hoxha

Ambasadori në largim i Britanisë së Madhe në Kosovë, Ruairi O’Connell, ka reaguar ndaj vendimit për shpallje të konkursit për plotësimin e pesë pozitave në konkurs të jashtëm nga ana e Ministrisë së Integrimeve Europiane.

O’Connell reagoi përmes një postimi në Facebook, duke thënë se Kosova e ka për obligim që të bëjë rekrutimin e të rinjve të cilët janë aftësuar në kuadër të skemës Young Cell Scheme.

Skema në fjalë është një ndër projektet më të mëdha të BE’së në Kosovë. Projekti u mundëson studentëve të nivelit Mastër në Kosovë që të fitojnë bursa në universitete europiane. Psa përfundimit të studimeve u garanton një mundësi punësimi në institucione. Mirëpo, Dhurata Hoxha ka vendosur që të hapë një konkurs për këto vende, dhe shoqëria civile ka reaguar duke thënë se këto vende do të plotësohen nga  militantë partiakë, duke lënë studentët papunë.

“Skema e Profesionistëve të Rinj (Young Cell Scheme) e financuar nga Bashkimi Europian për vite me radhë i jep Kosovës mundësi të përfitojë nga talenti dhe aftësitë e rinisë së saj”, ka shkruar O’Connell.

“Në kuadër të kësaj Skeme, Kosova ka obligim të mos bëjë rekrutime të jashtme në shërbimin civil pa akomoduar gjithë bursistët e Skemës së Profesionistëve të Rinj. Vendimi i Ministrisë së Integrimit Evropian për të shpallur pesë pozita me konkurs të jashtëm është në kundërshtim të drejtëpërdrejt me vet zotimin e Kosovës”

Tutje ambasadori ka reaguar ndaj ndëshkimit me vërejtje ndaj stafit të ministrisë që ka reaguar ndaj këtij vendimi të Hoxhës. Ai ka vlerësuar guximin e tyre dhe përkushtimin ndaj ligjit.

“Kosova ka nevojë për shërbyes të tillë civil që rreshtohen në anën e së drejtës përballë ndikimeve nga politika. Ata janë heronjtë e ditëve të sotme”, ka thënë ai. Shoqëria civile reagoi ndaj vendimit të ministres Hoxha, dhe kërkoi nga kryeministri Ramush Haradinaj që të ndërhyjë dhe të e kthejë këtë vendim.

(Kosova Sot Online)