Ish agjenti i SHIK-ut ka një kërkesë urgjente për ambasadorin amerikan

  • 11 August 2019 - 15:26
 Ish agjenti i SHIK-ut ka një kërkesë urgjente për ambasadorin amerikan

"Le të jetë kërkesë për ligjin Veting si ajo thënia e “nxjerrjes nga zarfi”, që në këtë rast do të ishte gjëja më pozitive që mundë të ndodhte në këtë vend sepse ndryshe nuk ka çka pret një qytetar i Kosovës nga këto institucione dhe këta njerëz të politikës. Çfarë shpresash ka kur presidenti, kryeministri, krye parlamentari, ministrat e shumë deputet e zyrtar tjerë shtetëror për shkeljet që kanë bërë dihet se e kanë vendin në burg, se duhet të nxirren në bankat e zeza të gjykatave dhe jo të lejohen të bëhen pjesë e institucioneve shtetërore”, tha ish agjenti i SHIK-ut, Naim Miftari.

Image
Naim Miftari

Njohësi i fushës së të drejtës dhe sigurisë, Naim Miftari, njëherit edhe ish agjenti i SHIK-ut dhe epror i TMK-së, kërkon që presioni ndërkombëtar ndaj institucioneve të reja të Kosovës për bërjen e ligjit Veting të nisë nga ditët e para të themelimit pas zgjedhjeve.

Miftari këtë nevojë të imponimit të këtij ligji, e bazon në rezultatin që po jep Vetingu në Shqipëri dhe vlerësimin që dha për atë proces Shefja e Operacioneve Ndërkombëtare - ONM, Genoveva Ruiz Calavara për Vetingun në Shqipëri.

Sipas Miftarit, kushdo që vjen në pushtet në institucionet e reja të Kosovës, nuk është e pritshme që vullnetarisht ta miratojë dhe zbatojë këtë ligj, por kjo mund të bëhet vetëm nëse dëshiron dhe insiston ambasadori i tanishëm amerikan, i cili po dëshmohet se është mjaft i interesuar për fuqizimin e sundimit të ligjit, madje edhe për ligjin Veting, duke shtuar se amerikanët ishin ata që e imponuan edhe në Shqipëri.

“Të mos harrojmë se Vetingu u implementua në Shqipëri me insistimin e vendosur të ambasadorit amerikan Donald Lu i cili për mendimin tim është dhe do duhej shpallur ambasador hero i Shqipërisë. Në Kosovë, për fat të keq, gjer më sot nuk patëm ndonjë ambasador të rëndësishëm ndërkombëtar, ambasador guximtar e me peshë që ti detyroj institucionet e politikes Kosovare që të bëjnë një Veting, pastrim, të organeve të drejtësisë nga dora e ndikimi dhe kapja e politikanëve të korruptuar kosovar që në fakt janë vetë dora e krimit të organizuar”, tha Miftari për “Kosova Sot Online”.

Sipas Miftarit, gati të gjithë ambasadorët e vendeve mike në Kosovë, kanë dhënë herë pas here kritika dhe kanë bërë kërkesa për fuqizimin e rendit dhe ligjit, luftimin e korrupsionit, por nuk kanë qenë këmbëngulës.

Këtë këmbëngulësi, Miftari e pret tani nga ambasadori Kosnet.

“E vetmja shpresë është tani te ambasadori amerikan z. Kosnet i cili ka fuqi diplomatike dhe ndikime të tjera nëse ai do të jetë i vendosur ta kërkoj vendosjen një Vetingu në organet e zbatimit të ligjit në Kosovë edhe pse parlamentit dhe qeveris edhe e disa partive qe janë dhe ishin në pushtet më herët janë dhe do të jenë kundër Vetingut, pasi e dinë mirë se një Veting i mirëfilltë do t’i pastronte gjykatat dhe policinë e Kosovës nga zyrtar të korruptuar dhe nga servilët politik që i kanë vendosur në organet e sistemit të drejtësisë dhe të sigurisë”, tha Miftari për “Kosova Sot Online”.

Sipas Miftarit, edhe qytetarët e Kosovës, shpresën e vetme e kanë te ndërhyrjet e ndërkombëtarëve për vendosjen dhe stabilizimin e shtetit të së drejtës.

“Le të jetë kërkesë për ligjin Veting si ajo thënia e “nxjerrjes nga zarfi”, që në këtë rast do të ishte gjëja më pozitive që mundë të ndodhte në këtë vend sepse ndryshe nuk ka çka pret një qytetar i Kosovës nga këto institucione dhe këta njerëz të politikës. Çfarë shpresash ka kur presidenti, kryeministri, krye parlamentari, ministrat e shumë deputet e zyrtar tjerë shtetëror për shkeljet që kanë bërë dihet se e kanë vendin në burg, se duhet të nxirren në bankat e zeza të gjykatave dhe jo të lejohen të bëhen pjesë e institucioneve shtetërore. Prandaj mendimi im është se vetëm ambasadori amerikan z. Kosnet ka mundësi dhe fuqi politike e diplomatike që ta imponon dhe të jetë afër të ndihmon në implementimin e Vetingut në Kosovë, duke pasur përkrah në mbështetje edhe FBI-në nga Amerika nga Gjermania dhe nga Britania e Madhe”, përfundoi Miftari për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)