Çfarë po ndodhë me zbulimin e skandalit të madh në Kosovë?

  • 13 August 2019 - 07:40
Çfarë po ndodhë me zbulimin e skandalit të madh në Kosovë?

“Kjo edhe për faktin se përveç tentimit të përfitimit, korruptimit dhe manipulimit, ky skandal kishte edhe qëllimin tjetër të pastër puro politik dhe elektoral të planifikuar për përfitimin në vota, të pushtetarëve të inkriminuar aktual, në zgjedhjet që priten të mbahen këtë vjeshtë”, tha Qarri për “Kosova Sot Online”.

Skandali me listat e veteranëve të luftës, sipas analistit politik, Gani Qarri do të jetë edhe një medalje tjetër e turpit që do ta njollos luftën e dejtë të UÇK-së, ngase përveç zotimeve dhe premtimeve të kota të drejtësisë së kapur nga politika për ta hetuar dhe zbardhur këtë aferë, nuk po tregohet aspak vullnet për të vepruar dhe zbërthyer të vërtetën, për të ndëshkuar manipuluesit.

Image

Sipas Qarrit, po mbushet një vit kur ky skandal u bë top temë në medie, mori edhe “kokën” e një prokurori të guximshëm, por me kalimin e kohës sikur po harrohet.

“Megjithëse qysh në shtatorin e vitit të kaluar,u raportua me pompozitet se kinse për çështjen e trajtimit të listave të fryra të veteranëve të UÇK-së, dhe hetimit të personave përgjegjës,do të caktohej një prokuror tjetër, që nga ikja e prokurorit Elez Blakaj në SHBA, u dëshmua katërçipërisht se përderisa e ashtuquajtura Prokurori Speciale, të dirigjohet dhe kontrollohet nga pushtetarët e kriminalizuar aktual, duket se premtime të tilla ishin jo vetëm joserioze por edhe të parealizueshme ani pse bëhet fjalë për dëmtim buxheti prej hiq më pak se 68-70 milionë eurosh”, tha Qarri për “Kosova Sot Online”.

Sipas Qarrit, epilogu i skandalit dhe zbardhja nuk i shkon për shtati asnjë partie politike, sepse ju humben votat dhe është para dështimit të plotë.

“Shkaku i hezitimit të marrjes përsipër të lëndës në fjalë, nga prokurorët aktualë të Prokurorisë Speciale, përveç se çështja u zvarrit deri me tani, duket që hetimi,zbardhja dhe epilogu i aferës me fryrjen e listave të veteraneve të luftës në Kosovë,do të dështojë tërësisht. Kjo edhe për faktin se përveç tentimit të përfitimit,korruptimit dhe manipulimit, ky skandal kishte edhe qëllimin tjetër të pastër puro politik dhe elektoral të planifikuar për përfitimin në vota, të pushtetarëve të inkriminuar aktual, në zgjedhjet që priten të mbahen këtë vjeshtë”, shtoi Qarri për “Kosova Sot Online”.

Derisa krimi ka kapur drejtësinë përmes politikës, sipas Qarrit, edhe ky skandal sikurse shumë skandale të tjera qindra milionëshe, po shkon sigurt drejt harresës.

“Sepse për politikën më shumë rëndësi ka vota për ta ruajtur pushtetin e inkriminuar, sesa interesi i vendit, zhvillimi dhe instalimi I drejtësisë së pa varur. Ndaj dhe nga e gjithë kasta e inkriminuar politike, do të bëhen përpjekje që të harrohet përfundimisht kjo aferë, megjithëse po i kushton dhjetëra miliona euro buxhetit të varfër shtetit të Kosovës, pasi që numri prej 60 mijë veteranesh do të shërbejnë si votë potenciale e blerë dhe e kontraktuar me kohë nga politika e kriminalizuar dhe të ashtuquajturat partitë e krahut të luftës”, përfundoi Qarri për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)