‘Trondit’ analisti i njohur nga SHBA, zbulon lojën e rrezikshme për Kosovën me Specialen

  • 21 August 2019 - 07:35
‘Trondit’ analisti i njohur nga SHBA, zbulon lojën e rrezikshme për Kosovën me Specialen

“Këtu po luhet lojë e rrezikshme. Duke dhënë tokat kërkojnë t'i shpëtojnë kokat. Si është e mundur që vetëm Kosova të ketë një gjykatë të kësaj natyre, kur dihet se këtu kanë qenë në funksion edhe gjykatat e UNMIK-ut, EULEX-it, të cilat kanë bashkëvepruar me gjykatësit vendorë duke i bartur edhe kompetencat dhe përgjegjësitë”, tha Bojaj për “Kosova Sot Online”.

Edhe pse ka intervistuar një numër të madh personash, përfshirë edhe kryeministrin e dorëhequr të Kosovës, Ramush Haradinaj, Gjykata Speciale deri më tani nuk ka ngritur ende asnjë aktakuzë.

Image

E lidhur me vonesat e aktakuzave të Speciales dhe arsyet që po ndikojnë në këtë, për “Kosova Sot Online”, ka folur analisti i njohur që jeton dhe vepron në SHBA, Ramiz Bojaj.

Ai thotë Gjykata Speciale po tregohet më shumë gjykatë politike për t'i shantazhuar të apostrofuarit e saj, sesa një mekanizëm qe është themeluar për të ndarë drejtësi.

“Kjo për faktin se GjK-ja, ende nuk ka ngritur asnjë akuzë për ndonjë individë, duke përfshirë as të apostrofuarin kryesor, Hashim Thaçin, njeriu kryesor për të cilin është themeluar Gjykata Speciale, sipas raportit të Dick Martyt. Për veprime konkrete, pa përshkrime specifike të rasteve, duke thirrur vetëm të dyshuar, po lën përshtypjen se kësaj gjykate i duhet një dekadë e tërë kohore për të përmbushur synimet e veta.

Duke zvarritur procesin e punës së vet, duke zgjeruar terrenin më të dyshuar, herë të këtij shtabi e herë të atij shtabi, herë të kësaj çete e herë të saj çete, kjo gjykatë po jep sinjale se mund të jetë e ndikuar politikisht por edhe me motivacione tjera shantazhuese. Kjo për faktin se vet themelimi i kësaj gjykate ka dëmtuar rëndë reputacionin ndërkombëtar të shtetit të Kosovës”, thotë Bojaj për “Kosova Sot Online”.

Sipas tij, kjo po i shkon përshtati Serbisë të udhëhequr nga pasardhësit e Millosheviqit, që të lobojnë kundër Kosovës, duke u angazhuar më të gjitha forcat për vazhdimin e çnjohjeve.

“Pastaj po frikëson të apostrofuarit kryesor të saj, të cilët në panik, po pranojnë të gjitha kërkesat e Serbisë për copëtimin e Kosovës. Unë dyshoj se sikur të realizohej plani i Millosheviqit, i dakorduar edhe nga Aleksandër Vuqiq, Hashim Thaçi e Edvin Rama, e proklamuar si marrëveshje për shkëmbim territoresh, Gjykata Speciale do të pushonte aktivitetin e vet. Kosova do të copëtohej, Serbia do të qetësohej pasi ti grabiste pasuritë nëntokësore të vendit tonë, pas të cilave do të rehatoheshin njëherë e mirë edhe bandat mafioze shqiptare Tiranë-Prishtinë, të cilat do të forconin bashkëpunimin me Beogradin si treshja e 'paqes' ballkanike. Pikërisht në këtë kohë të rrënimit të madh të reputacionit të Kosovës, ku Serbia ka shtuar agresivitetin e vet lobues kundër njohjeve të shtetit tonë, dëgjohen zëra nga shtetet evropiane për rifillimin e shpejtë të dialogut me Serbinë, për të arritur në marrëveshjen finale, ligjërisht të obligueshme”, thekson Bojaj për “Kosova Sot Online”.

Më tej, Bojaj shton se Gjykata Speciale u rri si ‘shpatë’ mbi kokë liderëve të Kosovës.

“Dhe kjo kërkesë vjen në kohën kur kryeministrja e Serbisë,. Bërnabiq deklarohet se 'nëse nuk bisedohet për ndarjen e Kosovës, nuk do të ketë kurrfarë bisedimesh'. Kërkesat e Serbisë për copëtimin e Kosovës, e cila vjen si rezultat i shkëmbimit të territoreve, pastaj reagimi i vendeve të Quintit për rifillimin e shpejtë të dialogut, manovrimet taktike dhe të ngadalshme të Gjykatës speciale, e cila u rri si 'shpatë' mbi kokë liderëve të Kosovës, le përshtypjen se këtu është hapur një front konspirativ për copëtimin final të shtetit tonë. Këtë copëtim e kanë pranuar liderët e shantazhuar të Kosovës e të Shqipërisë, të cilët në 'ujdi' me pasardhësit e Millosheviqit në Beograd, kanë arritur në një pikë të përbashkët pajtimi: Kosova ti japë Serbisë minierat e veta bashkë me komunat veriore të vendit tonë, ndërsa Serbia t'i heqë akuzat ndaj liderëve të akuzuar për veprime kriminale”, nënvizon Bojaj.

Ai thotë se në këtë mënyrë po luhet një lojë tepër e rrezikshme për Kosovën.

“Këtu po luhet lojë e rrezikshme. Duke dhënë tokat kërkojnë t'i shpëtojnë kokat. Si është e mundur që vetëm Kosova të ketë një gjykatë të kësaj natyre, kur dihet se këtu kanë qenë në funksion edhe gjykatat e UNMIK-ut, EULEX-it, të cilat kanë bashkëvepruar me gjykatësit vendorë duke i bartur edhe kompetencat dhe përgjegjësitë. Përse këto përgjegjësi janë dorëzuar tek gjykatësit e politikës mafioze të Kosovës! Si ka mundur të ndodhë bartja e kompetencave nga ndërkombëtaret tek vendorët, pa asnjë fije dyshimi për politizimin e këtij segmenti, i cili më pas detyroi themelimin e Gjykatës Speciale”.

Për fund, Bojaj shprehet se bashkësia ndërkombëtare duhet të tregohet këmbëngulëse dhe e vendosur qe të mos lejojë asnjë lider të dyshuar nga Gjykata Speciale të qëndrojë në poste të larta udhëheqëse të Kosovës, e as në politikë.

“Dhe kjo derisa kjo gjykatë të përfundojë punën e vet, dhe të merr vendime për të dyshuarit. Nëse këtë nuk e bëjnë liderët e Kosovës, atëherë të fillohet me sanksionimin e lëvizjes së lirë të tyre, të ngrirjes së të hyrave materiale, sistemeve bankare etj., në mënyrë që Kosova, së pari të çlirohet nga kthetrat e klaneve oligarke, të ndërtojë një politikë të re e kredibile, për të ndërtuar një sistem të drejtësisë të pavarur nga ndikimet politike. Pas gjithë kësaj, të kërkohet fillim i dialogut me Serbinë, qe përkojnë me interesat ndërfqinjësore e jo prerje territoriale. Ndryshe, Gjykata Speciale në njërën anë, liderët e trembur e në panik në anën tjetër, të kërkohet marrëveshje finale me Serbinë e cila kërkon vetëm bisedime për territore, është tallje me shtetin dhe popullin e Kosovës”, përfundon Bojaj për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)