Anija kozmike ruse me robot stacionohet në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës

  • 27 August 2019 - 11:26
Anija kozmike ruse me robot stacionohet në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës

Një anije kozmike ruse që po transportonte robot të avancuar më në fund ka arritur të stacionohet me sukses në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës të martën, pas një përpjekjeje të dështuar në fundjavën e kaluar.

Roboti i quajtur Fedor është i aftë t’i kopjojë lëvizjet e njerëzve dhe pritet t’iu ndihmojë astronautëve në kryerjen e detyrave të ndryshme.

“Kontakti dhe ngjitja janë konfirmuar”, njoftoi një zyrtar i NASA-s, ndërsa lajmin e ka konfirmuar në faqen e saj të internetit edhe Agjencia Ruse e Hapësirës.

Kjo anije kozmike u nis nga Toka të enjten nga një stacion rus në pjesën jugore të Kazakistanit. Roboti i dërguar në hapësirë do të qëndrojë në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës deri më 7 shtator.

“Të shkojmë, të shkojmë”, dëgjohet duke thënë roboti gjatë lëshimit në Stacionin Ndërkombëtar, duke i përsëritur fjalët e njeriut të parë në hapësirë, Yuri Gagarin.

Anijet kozmike të këtij lloji zakonisht lëshohen me ekuipazh brenda tyre, por kësaj radhe në to ndodhej vetëm roboti me qëllim të testimit të një sistemi për shpëtim emergjent.

Në këtë pajisje ndodhej një ngarkesë prej 670 kilogramësh, në mesin e së cilës ka pajisje shkencore dhe mjekësore, ushqim, ilaçe dhe produkte higjienike për ekuipazhin”, shkruan “France24”.

(Kosova Sot Online)