Serbia vazhdon me fushatë kundër anëtarësimit të Kosovës në Interpol

  • 28 August 2019 - 17:25
Serbia vazhdon me fushatë kundër anëtarësimit të Kosovës në Interpol

Ministri i Brendshëm i Serbisë, Nebojsha Stefanoviq, tha se që nga Asambleja e Përgjithshme e Interpolit, vitin e kaluar në Dubai ku është kundërshtuar kërkesa e Kosovës për t’u anëtarësuar në këtë organizatë, nuk ka pasur asnjë zhvillim që do të sillte ndryshimi të atij vendimi.

Vazhdon ofensiva serbe kundër pranimit të Kosovës në Interpol

Në komunikatën e MPB të Serbisë pretendohet se Stefanoviq ka deklaruar se pranimi eventual i Kosovës në Interpol, do të krijonte mundësinë që informacionet konfidenciale “të binin në duart e kriminelëve dhe terroristëve”.

Komunikata po ashtu sqaron se Stefanoviq i ka bërë këto komente në takim me ambasadorin e Venezuelës në Beograd, Dimas Jesus Alvarenga Guerra.

Ambasadori Guerra theksoi se Venezuela respekton sovranitetin dhe integritetin territorial të Serbisë.

Më 20 nëntor të vitit 2018, Kosova nuk ka arritur të anëtarësohet në Interpol, pasi që nuk mori shumicën e nevojshme prej dy të tretave të votave të vendeve pjesëmarrëse në Asamblenë e Përgjithshme të kësaj organizate.

Tentativat e Kosovës për anëtarësim në Interpol kanë nisur që nga viti 2010. Atë kohë, Komiteti Ekzekutiv i kësaj organizate, nuk e kishte marrë fare parasysh kërkesën e parashtruar nga institucionet e Kosovës.