Rreth 4 mijë zjarre të reja pas ndalesës për ndezje të pyjeve në Brazil

  • 02 September 2019 - 14:36
Rreth 4 mijë zjarre të reja pas ndalesës për ndezje të pyjeve në Brazil

Rreth 4 mijë zjarre të reja kanë shpërthyer në Brazil vetëm dy ditë pasi qeveria mori vendim për ndalimin e zjarreve të qëllimshme në Amazonë.

Instituti Kombëtar për Hulumtim të Mjedisit i ka regjistruar 3859 zjarre vetëm 48 orë pas hyrjes në fuqi të ndalesës për ndezje të pyjeve, e cila do të vlejë për 60 ditët e ardhshme. Rreth 2 mijë zjarre të reja u regjistruan vetëm në Amazonë.

Këto shifra u publikuan në kohën kur kriza e zjarreve në Brazil ka shkaktuar shumë panik dhe reagime nga komuniteti ndërkombëtar. Masa ndaj këtyre zjarreve kërkuan para disa ditësh edhe liderët e vendeve më të zhvilluara në botë gjatë samitit të G7-ës në Francë.

Më shumë se 72 mijë zjarre janë regjistruar në Brazil nga janari deri në gusht të këtij viti. Kjo është shifra më e madhe nga viti 2013 dhe paraqet rritje prej 83 për qind në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Për shkak të sipërfaqes së madhe, pyjet e Amazonës shpesh quhen edhe “mushkëri të botës” dhe nga ekspertët cilësohen si faktor kryesor për të ardhmen e planetit tonë dhe nivelin e ngrohjes globale.

Këto pyje e zvogëlojnë sasinë e dioksidit të karbonit në atmosferë dhe e ngadalësojnë ngrohjen globale. Ato prodhojnë 20 për qind të tërë oksigjenit të botës, shkruan “Independent”.

Kosova Sot Online