Ndizet alarmi: Kjo është vërejtja e fundit nga fuqitë e mëdha për Kosovën

  • 03 September 2019 - 07:41
Ndizet alarmi: Kjo është vërejtja e fundit nga fuqitë e mëdha për Kosovën

Ambasadorët e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara i kanë drejtuar një thirrje të ashpër partive kosovare...

Analistët politikë të cilët po e përcjellin me vëmendje të madhe ecurinë e procesit përgatitor të partive politike për zgjedhjet e 6 tetorit, e kanë vlerësuar si shumë të rëndësishme, mbase edhe me ndikim që mund të ketë deklarata e fundit të ambasadorëve të Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara, drejtuar partive politike dhe qytetarëve për atë se si do të duhej të veprojnë me përpilimin e listave zgjedhore dhe përfshirjen e kandidatëve në ato lista, e nga të cilat do të duhet përjashtuar të gjithë të dyshuarit për krim e korrupsion dhe shkelësit e ligjit.

Image

Analisti politik, Florim Zeqa tha për “Kosova Sot Online” se deklarata është përmbajtjesore dhe vjen si vërejtje tepër serioze për krerët e partive politike, por edhe si mesazh për vetëdijesimin e qytetarëve.

“Deklarata e fundit e ambasadorëve të Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara është vërejta e fundit e paralajmëruese e diplomacisë ndërkombëtare për politikanët e korruptuar të Kosovës që të kenë kujdes në përpilimin e listave kandiduese për deputetë e ardhshëm të Kuvendit të Kosovës, që në ato lista të mos ketë më vend për individët me dosje kriminale dhe nën akuza për krim e korrupsion. Ky paralajmërim i shteteve të "Quintit" është me vend, por jo i mjaftuar, për shkak se partitë e kriminalizuara duhet të kërcënohen me mosnjohje të rezultatit zgjedhor në rast se në listat e tyre fusin kandidat me dosje kriminale për korrupsion dhe krim të organizuar”, tha Zeqa për “Kosova Sot Online”.

Sido qoftë ai konsideron se një alarm i tillë i ndezur nga diplomatët e huaj, është goditje serioze për politikën e korruptuar e cila nëse nuk i merr seriozisht këto mesazhe rrezikon të izolohet tërësisht nga faktori ndërkombëtar.

“Gjithsesi kjo kërkesë e bashkësisë ndërkombëtare është edhe një grusht i madh për politikanët kosovar në prag të zgjedhjeve e që vërteton se deri më tani politika në pushtet dhe opozitë ka qenë e lidhur ngushtë me krimin dhe korrupsionin, duke u bërë kështu pengesa kryesore për zhvillimin e vendit që ka shkaktuar izolimin ndërkombëtar të Kosovës dhe eksodin në rritje e të rinjve, i cili po ndikon drejtpërdrejtë në rënien e numrit të popullsisë dhe zvogëlimin e forcës progresive për ndryshime pozitive në këtë vend”, tha Zeqa për “Kosova Sot Online”.

“Bashkësia ndërkombëtare, në këtë rast ambasadorët e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara, nëse e kanë me gjithë mendje dekontaminimin e skenës politike, duhet t'u drejtohen me kërkesën e prerë të gjitha subjekteve politike për pastrim të listave, në të kundërtën do ta kemi edhe legjislaturën e 7-të të Kuvendit edhe më të kriminalizuar, korruptuar, servile e të dirigjuar nga qeveria dhe liderët partiakë”, ka përfunduar Zeqa për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)