‘Goditja’ e rëndë për Kadri Veselin: Kjo është tallja më e madhe me kosovarët

  • 05 September 2019 - 07:38
‘Goditja’ e rëndë për Kadri Veselin: Kjo është tallja më e madhe me kosovarët

‘Pakti’ i Kadri Veselit, përveç që nuk ka gjetur përkrahjen e partive politike, ajo po cilësohet edhe si tallje me kosovarët....

Njohës të fushës së sundimit të ligjit dhe analistë të politikës, e kanë vlerësuar përpjekje kulminante për mashtrimin e opinionit kosovar thirrjen e Kadri Veselit për partitë politike, që t’i bashkohen iniciativës së tij për nënshkrimin e një të ashtuquajturi pakt kundër korrupsionit.

Image
Hasan Preteni

Propozimi i Veselit, sipas njohësve të kësaj fushe është edhe një lloj përpjekje në kërkim të amnistisë politike për krim dhe korrupsion në emër të PDK-së, nga kreu i këtij subjekti politik kur dihet se po ky subjekt është flamurtar i kapjes së shtetit për këto dy dekada që po mbeten prapa. Prandajw, sipas analistëve propozimi për paktin, është vetëm tallje e madhe që mundë t’i bëhet sot qytetarit të Kosovës nga një parti e inkriminuar për dy dekada në qeverisje, duke u munduar që të shfajësohet e të pastrohet nga krimi e korrupsioni me projekte të rrejshme elektorale.

Sipas analistit të fushës së të drejtës, Hasan Preteni, kjo lloj fushate dhe ky propozim, ka vetëm karakter të mashtrimit e gënjeshtrës elektorale, andaj edhe nuk do mbështetet, por do të mbetet vetëm si një flluskë e hedhur në erë , ku sipas Pretenit, në situata të tillë vetëm njerëz të retarduar psiqikisht japin propozime të tilla mashtruese.

“Këtu për mendimin tim është vetëm një dilemë! A janë ata, politikanët, të çmendur apo ne qytetarët. Asnjë apel apo nismë e fushatës nuk ka qenë më hipokrite se kjo. Nuk e kuptojnë dhe as nuk e dinë se si shqiptohet fjala korrupsion, ata e thonë ndryshe. Pastaj nuk i thonë veprimet të cilat do ti ndërmarrin. Nuk e kuptojnë as nocionin e nepotizmit e “izmave” tjerë. Ata duhet të na tregojnë se çka do të ndodhë me klientelizmin, politizimin, favorizimin dhe raportet me oligarkët zaptues. Pra kjo ide po të mos ishte tragjike do të ishte shumë komike”, tha Preteni për “Kosova Sot Online”.

Madje sipas tij, edhe ky projekt 10 pikësh i Veselit kundër korrupsionit, nuk dallon aspak nga gënjeshtrat e mëhershme të “Misionit të Ri’ për mijëra vende punë dhe liberalizim vizash.

“Gënjyen me vende të reja të punës, gënjyen për viza, gënjyen, gënjyen dhe vetëm gënjyen.Tani vetëm e kanë ndryshuar objektin gënjeshtëror. U tentua kinse ti ndërmarrin disa masa dhe, i sakrifikuan disa që nuk i përkasin regjionit të premtuesit dhe cirkusantit aktual”, tha Hasan Preteni për “Kosova Sot Online”.

Se sa do të jenë serioze premtimet e Veselit për luftim kundër krimit dhe korrupsionit, por edhe të përfaqësuesve të tjerë politikë, ai e thotë se do ta dëshmojë shpejt zbardhja e listës me emrat e kandidatëve për deputetë, ngase sipas Pretenit, nga ajo listë pastaj dalin edhe njerëzit që e përbëjnë eventualisht kabinetin qeveritar, ngase në pritje të kthesës së madhe,pastrimi i listave dhe ndryshimi i Kodit Zgjedhor ishte dashtë të kryhen me kohë, por qëllimisht nuk janë bërë.

“Kosova është shtet ku gjithçka realizohet me nguti dhe në mënyrë të pa planifikuar. Shtet me administratë të pa kualifikuar,jo profesionale dhe të shantazhuar. Qytetari kësaj radhe nuk duhet të ju besoj gënjeshtrave të fushatës. Duhet të vetëdijesohemi dhe të ju besojmë atyre që në veprimet e deritanishme nuk kanë gënjyer sepse kemi nevojë për zyrtar me integritet moral, me etikë dhe patriotizëm funksional. Ata që na gllabëruan qe 20 vjet duhet të shkojnë në rrugën pa kthim, sa më larg politikes dhe afër dhe në burgje, duhet të paguajnë për të bëmat në dëm të shtetit”, përfundoi Preteni për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online )