Vjen denoncimi i rëndë për zgjedhjet në Kosovë, ky është alarmi

  • 06 September 2019 - 16:34
Vjen denoncimi i rëndë për zgjedhjet në Kosovë, ky është alarmi

Asnjëra nga partitë nuk po arrin ta bind qytetarin. Mungon programi zgjedhor mbi të cilin ndërtohet programi qeverisës dhe i detajuar...

Profesori i njohur i së drejtës dhe analisti politik, Muhamet Kelmendi duke parë mënyrën e qasjes së partive politike ndaj qytetarit, në kërkim të votës për mandatin e ri qeverisës, thekson se asnjë parti politike deri më tani nuk po arrin ta arsyetojë kërkesën për të iu besuar votën, pasi sipas tij të gjithë njësoj po manipulojnë me qytetarin, vetëm duke u zotuar për qeverisje të mirë e zhvillim ekonomik, por se qytetari është i privuar nga e drejta që ta dijë se kush do të jetë në listën potenciale të kabinetit të ri qeveritar, ministrat e ardhshëm për secilin sektor veç e veç.

Image
Muhamet Kelmendi

“Kjo na tregon se në Kosovë nuk zhvillohen zgjedhjet në bazë të dy çështjeve kryesore, e të cilat kanë për qëllim zgjidhjen e çështjeve vitale tek ne veprohet në bazë të grupeve e lidhjeve lokale dhe krahinore”, tha Muhamet Kelmendi për “Kosova Sot Online”.

Sipas tij, çështjet kryesore në të cilat do të duhej fokusuar programi i kandidatëve për kryeministër dhe i kabinetit ministror që përfaqëson ai, do të duhej të ishin të bazuara në dy shtyllat kryesore për shtetin e që po mungojnë tek secila parti politike.

“Mungon programi zgjedhor mbi të cilin ndërtohet programi qeverisës dhe i detajuar, dhe nën dy, prezantimi i kuadrit kandidues dhe të përgatitur për të zbatuar programin zgjedhor dhe qeverisës. Mirëpo asnjëra nga këto elemente qenësore nuk është temë e diskutimit nëpër partitë politike. Kudo diskutohen qëllimet fituese e jo shtet ndërtimi si qëllim kryesor”, tha Muhamet Kelmendi për “Kosova Sot Online”.

Prandaj ai ka thënë se edhe nga këto zgjedhje, e tërë garnitura e përfaqësimit nëpër institucione do të vendoset në bazë të lidhjeve dhe influencës së krijuar nga format e ndryshme ndikuese.

“Në Kuvend do të kemi përsëri deputet me dosje, të pa përgatitur dhe të varur tërësisht. Do të kemi deputet që nuk di e se çka realisht është dhe çka përfaqëson parlamenti dhe cilat janë detyrat e këtij organi”, tha Kelmendi për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)